Sulmuesi 16-vjeçar i Barcelonës, Ansu Fati, ka marrë lëvdata të mëdha nga mediumet spanjolle pasi u bë golashënuesi më i ri në histori të skuadrës katalonjase në La Liga. Ansu shënoi të shtunën në barazimin 2:2 në shtëpi ndaj Osasunas.
Ai është bërë edhe golashënuesi i tretë më i ri në histori të La Ligas, pas Fabrice Olingas dhe Iker Muniainit, kur shënoi golin e parë të Barcelonës në minutën e 51-të, vetëm gjashtë minuta pasi u aktivizua nga bankina në pauzë mes pjesëlojëve, shkruan Koha Ditore. Fati kishte shënuar golin e barazimit, pasi Roberto Torres realizoi në pjesën e parë për Osasunan. Barcelona kaloi në epërsi në minutën e 64-t përmes golit të Arthur Melos.
Mirëpo Barcelona dështoi të mbante tri pikët, pasi Torres barazoi shifrat për Osasunan nga penalltia, pasi Gerard Pique luajti me dorë në zonë.
Me gjithë barazimin e papritur të Barçës, supertalenti Fati ka pushtuar ballinat në Spanjë të dielën në mëngjes. Gazeta “AS” ka vlerësuar lart kontributin e të riut, duke shkruar se ai ka ndihmuar Barcelonën të “evitojë një fiasko tjetër”.