164 të vrarë në protestat në Kazakistan

Prishtinë | 09 Jan 2022 | 14:15 | Nga Ekonomia Online

Ministria e Shëndetësisë së Kazakistanit tha të dielën se 164 njerëz janë vrarë në protestat që kanë tronditur vendin gjatë javës së kaluar.

Shifrat e raportuara në kanalin shtetëror të lajmeve Khabar-24 janë një rritje e konsiderueshme nga të dhënat e mëparshme. Nuk është e qartë nëse vdekjet u referohen vetëm civilëve apo nëse përfshihen vdekjet nga forcat e rendit.

Autoritetet kazake thanë më herët të dielën se 16 policë ose roje kombëtare ishin vrarë. Teksa Autoritetet më parë raportuan se 26 protestues kanë mbetur të vdekur, shkruan AP.

Shumica e vdekjeve, 103 ishin në Almaty, në qytetin më të madh të vendit, ku demonstruesit dëmtuan ndërtesat qeveritare dhe i vunë flakën disave, sipas ministrisë.

Avokati i Popullit i vendit për të drejtat e fëmijëve tha se tre nga të vrarët ishin të mitur, përfshirë një vajzë 4-vjeçare.

Ministria më herët raportoi se më shumë se 2,200 njerëz kërkuan trajtim për lëndimet nga protestat, dhe Ministria e Brendshme tha se rreth 1,300 oficerë sigurie u plagosën.

Zyra e presidentit të Kazakistanit tha se rreth 5,800 njerëz u arrestuan nga policia gjatë protestave që u shndërruan në dhunë javën e kaluar.

Zyra e Presidentit Kassym-Jomart Tokayev tha të dielën se rendi është stabilizuar në vend dhe se autoritetet kanë rifituar kontrollin e ndërtesave administrative që u pushtuan nga protestuesit, ku disa prej të cilave u dogjën.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme