18 raste me COVID-19 në Shtime, sot u testuan edhe 4 persona

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 20:20 | Nga Ekonomia Online

18 persona nga komuna e Shtimes janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta, një është shëruar ndqërkaq një tjetër ka vdekur. Rasti i fundit me koronavirus në këtë komunë u konfirmua mbrëmjen e së dielës. Ndërkaq, 4 familjarë të tij janë testuar sot dhe po i presin rezultatet.

Zyrtarja për informim në Komunën e Shtimes, Tringa Rushiti-Xhelili, ka thënë për Express se deri më tani në këtë komunë janë testuar rreth 54 persona.

“Në komunën e Shtimes numri i rasteve me COVID – 19  është gjithsej 18, ndërsa i shëruar deri më tani është vetëm 1 person, i vdekur 1, ndërsa të testuar rreth 54 persona”, ka thënë Rushiti-Xhelili.

Ajo ka treguar se të gjitha rastet e deritanishme në Shtime janë persona që kanë pasur kontakt me të prekurit me COVID-19.

“Të gjitha rastet janë raste kontakti. Në fshatin Pjetërshticë është personi i parë kontaktues, i cili ka qenë me COVID -19 rast kontakti në aeroport, ndërsa në fshatin Vojnoc është rast kontakti me personin nga Kampi Bondstill, i cili ka ndërruar jetë. Në fshatin Godanc është rast kontakti me një punonjëse të shëndetësisë”, ka thënë ajo për Express.

Rushtiti-Xhelili theksoi se katër persona nga Shtimja janë testuar sot për COVID-19.  

“Sot jane testuar 4 persona, familjarë të rastit të fundit në Shtime”, ka deklaruar ajo.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 763.

Nga ta janë shëruar 166, ndërkaq kanë vdekur 21 persona.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Të ngjashme