Sindikata e Pavarur e Doganës së Kosovës, në kuadër të fushatës ndërgjegjësuese “Tetori Rozë”, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Doganës së Kosovës dhe UBT-së, ka organizuar një ligjëratë informuese dhe ndërgjegjësuese mbi kancerin e gjirit.
Ligjërata u mbajt nga Egzona Bytyqi, mjeke onkologe në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), e cila para stafit të Doganës së Kosovës trajtoi rëndësinë e informimit, parandalimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.
Gjatë ligjëratës, Bytyqi inkurajoi pjesëmarrësit që të jenë të vëmendshëm ndaj ndryshimeve në trup dhe të mos neglizhojnë asnjë simptomë apo shqetësim shëndetësor, duke kërkuar me kohë këshillën dhe vlerësimin e profesionistëve shëndetësorë.
Një pjesë e rëndësishme e ligjëratës iu kushtua edhe rolit të meshkujve në ngritjen e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Mesazhi ndërgjegjësues u adresua jo vetëm grave, por gjithë shoqërisë, duke nënvizuar rëndësinë e mbështetjes, informimit dhe kujdesit shëndetësor.
Përmes kësaj nisme, Dogana e Kosovës rithekson rëndësinë e promovimit të shëndetit, informimit dhe ndërgjegjësimit, duke mbështetur iniciativa që kontribuojnë në një kulturë më të madhe të kujdesit dhe parandalimit.