Fondi i Sfidave Rajonale (RCF) ka organizuar Ceremoninë e Katërt Kombëtare të Ndarjes së Granteve në Kosovë, duke mbështetur pesë projekte në fushën e arsimit dhe aftësimit profesional, me vlerë totale prej 2.08 milionë eurosh, raporton Ekonomia Online.
Sipas të dhënave të prezantuara në ceremoni, projektet përfshijnë pesë programe, përmes të cilave do të aftësohen 704 studentë, në bashkëpunim me institucionet arsimore dhe bizneset partnere.
Në mesin e përfituesve është Komiteti Olimpik i Kosovës, i cili në partneritet me federatat e hendbollit, volejbollit dhe karatesë, si dhe Federatën e Ragbit, do të përfitojë 497 mijë euro për zhvillimin e trajnimeve sportive.
Ndërkaq UBT – Kolegji Ndërkombëtar për Biznes dhe Teknologji, në partneritet me kompanitë Quantix, Alit dhe Edutask, do të përfitojë 394 mijë euro për avancimin e programeve në teknologjinë e informacionit dhe elektronikë, përfshirë analitikën e të dhënave në cloud dhe inteligjencën artificiale.
Projektet e tjera përfshijnë zhvillimin e aftësive në sigurinë kibernetike, teknologjinë ushqimore dhe bioteknologji, si dhe zhvillimin e softuerëve.
Renato Vasili, koordinator rajonal i Fondit të Sfidave Rajonale (RCF), ka bërë të ditur se pesë projekte në Kosovë janë shpallur fituese në kuadër të thirrjes së katërt për grante, me rreth 2.1 milionë euro të alokuara për investime në arsimin dhe aftësimin profesional.
“Kur shkollat dhe bizneset punojnë bashkë, të rinjtë mësojnë atë që kërkon tregu i punës dhe pikërisht për këtë jemi mbledhur që të festojmë sot.Thirrja e katërt rajonale pati interes goxha të madh në rajon me 187 shprehje interesi në të gjitha ballkanin perëndimor. Nga ku 86 konsum konsumciumet e përzgjedhura ndërmjet tyre shtatëmbëdhjetë nga Kosova u përzgjedhjen për fazën e mëtejshme dhe në fund 38 projekte u shpallën fituese dhe pesë prej tyre këtu në Kosovë me një fond të alokuar prej rreth 2.1 milionë euro”, tha Vasili.
Vasili tha se këto investime synojnë të trajnojnë mbi 700 studentë në fusha të ndryshme, përfshirë sigurinë kibernetike, inteligjencën artificiale, zhvillimin e softuerëve, përpunimin e ushqimit dhe stërvitjen sportive.
“Këto investime do të trajnojnë mbi shtatëqind studentë në programet e sigurisë kibernetike, inteligjencës artificiale, zhvillim softuerik, përpunimet ushqimore dhe gjithashtu, dhe kam përshtypjen kjo ishte dhe inovacion në këtë thirrje, edhe për stërvitjen sportive”.
Ai bëri të ditur se pas katër thirrjeve, RCF në Kosovë numëron 21 projekte fituese, me rreth 9.8 milionë euro grante të alokuara.
“Pas katër thirrjeve jemi krenarë të ndajmë me ju se RCF në Kosovë numëron 21 projekte fituese, me gati 9.8 milionë euro të alokuara për investime”.
Sipas tij, në këto projekte janë përfshirë 73 kompani partnere, të cilat në bashkëpunim me shkollat kanë krijuar 28 programe inovative të trajnimit, ku pritet të aftësohen afro 3 mijë studentë.
“Pas këtyre shifrave qëndrojnë punë e përbashkët dhe përpjekje të konsiderueshme të gjithë palëve që kanë marrë pjesë në këto projekte. Qëndrojnë 73 kompani partnere, të cilat së bashku me shkollat kanë krijuar 28 programe inovative të trajnimit bashkëpunues, në të cilat do të trajnohen afro 3000 studentë”, potencoi ai.
Vasili, ka bërë të ditur se dy fondet, RCF dhe Fondi i Sfidave të Kosovës (KCF), kanë mbështetur gjithsej 33 projekte, me afro 15 milionë euro grante.
Sipas tij, me kontributin e konsorciumeve, vlera e përgjithshme e investimeve arrin në 20 milionë euro. Këto investime përfshijnë 116 kompani partnere dhe synojnë aftësimin e mbi 4 mijë studentëve.
“Së bashku, të dy fondet kanë mbështetur 33 projekte, me afro 15 milionë euro grante, dhe me kontributin e vet konsorciumeve, ky investim arrijnë në 20 milionë euro, të cilat do të kanalizohen në trajnime bashkëpunuese me 116 kompani partnere dhe do të ofrojnë trajnime për mbi 4100 studentë. Projektet fituese do të zbatohen në 10 komuna. 43%, gati 45% e granteve, apo 6.4 milionë euro, shkojnë për investime jashtë kryeqytetit, pra jashtë Prishtinës, në 14 projektet fituese, të cilat pjesa më e madhe udhëhiqen nga shkollat, nga shkollat publike.Rezultati, siç e përmenda më herët, janë mbi 4200 studentë në 24 programe të hartuara bashkë me 116 kompani. Por asgjë nga kjo nuk do të ishte mundur pa mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë gjermane. Shkëlqesia Juaj Ambasador Rudolf, faleminderit për suportin dhe ju falënderojmë përzemërsisht”.shtoi Vasili.
Ai falënderoi Qeverinë gjermane për mbështetjen e vazhdueshme financiare, duke theksuar rëndësinë e saj në zhvillimin e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.
Ndërsa Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka vlerësuar se investimet e Fondit Rajonal të Sfidave (RCF) në arsimin dhe aftësimin profesional kanë rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik dhe përgatitjen e të rinjve për tregun e punës.
“Fondi Rajonal i Sfidave ka sjellë një qasje shumë konkrete: lidhjen e arsimit dhe aftësimit profesional me nevojat reale të bizneseve, duke bërë sektorin privat pjesë aktive të zhvillimit të kompetencave. Ky është një ndryshim i rëndësishëm, sepse arsimi dhe aftësimi profesional nuk duhet të zhvillohen të shkëputura nga ekonomia, por në bashkëpunim të ngushtë me ekonominë dhe me bizneset tona”, tha Rafuna.
Duke folur në ceremoninë e ndarjes së granteve të RCF-së në Kosovë, Rafuna tha se investimet e fondit në vend, pas katër thirrjeve, arrijnë në rreth 9.8 milionë euro.
“Sot, pas katër thirrjeve , investimet e Fondit Rajonal të Sfidave në Kosovë arrijnë shumën rreth 9.8 milionë euro. Por unë besoj se vlera e vërtetë e këtij investimi do të jetë shumë më e madhe. Këto 9.8 milionë euro kanë potencial të dhjetëfishohen në vlerë ekonomike, përmes kontributit që të rinjtë dhe profesionistët e kualifikuar do t’ia jepnin bizneseve ku do të punësohen, përmes një produktiviteti më të lartë të punës, produkte dhe shërbime më cilësore, por edhe përmes bizneseve të reja që ata vetë mund t’i themelojnë”, deklaroi Rafuna.
Sipas tij, këto investime kanë potencial të dhjetëfishohen në vlerë ekonomike, përmes rritjes së produktivitetit, përmirësimit të cilësisë së produkteve dhe shërbimeve, si dhe krijimit të bizneseve të reja nga profesionistët e aftësuar.
“Pra, nuk po investojmë vetëm për nevojat e sotme të tregut të punës, por po investojmë në kapacitetet e ekonomisë sonë për të krijuar vlerë edhe në të ardhmen. Dhe ky është kontributi më i rëndësishëm i Fondit Rajonal të Sfidave; përfitimi nuk është vetëm financiar. Kjo ka ndikuar edhe në ndryshimin e mënyrës se si e kuptojmë arsimin dhe aftësimin profesional, rolin e biznesit dhe përgjegjësinë tonë të përbashkët për zhvillimin e fuqisë punëtore”, tha Lulzimi.
Ai bëri të ditur se Oda Ekonomike e Kosovës, përmes Qendrës për Arsim Dual, ka ndërmjetësuar përfshirjen e mbi 2 mijë e 500 nxënësve në biznese të ndryshme, në bashkëpunim me shkollat profesionale në disa komuna të Kosovës.
“Të nderuar pjesëmarrës, Oda Ekonomike e Kosovës e vlerëson shumë lart këtë qasje, sepse besojmë se zhvillimi i kapitalit njerëzor duhet të jetë pjesë e drejtpërdrejtë e zhvillimit ekonomisht. Për këtë arsye, Oda Ekonomike e Kosovës tashmë ka themeluar Qendrën për Arsim Dual, përmes së cilës ka ndërmjetësuar përfshirjen e mbi 2,500 nxënësve në biznese të ndryshme, në bashkëpunim me shkolla profesionale në disa komuna të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Ai vlerësoi se nga kjo qasje përfitojnë të rinjtë, të cilët fitojnë aftësi dhe mundësi më të mira punësimi, bizneset që sigurojnë punëtorë të kualifikuar, si dhe ekonomia e vendit përmes rritjes së produktivitetit dhe konkurrueshmërisë.
“Por ajo që unë e konsideroj edhe më të rëndësishëm, se vetë këta numra është ndryshimi i mendësisë që po ndodh. Në fillim kishim pyetjet nëse një model i tillë mund të funksiononte në Kosovë, nëse bizneset tona do të ishin të gatshme të përfshiheshin në procesin e aftësimit profesional, dhe nëse arsimi dual mund të bëjë pjesë e qëndrueshme e arsimit tonë arsimor, Sot, interesimi gjithnjë më i madh i bizneseve dhe i të rinjve po dëshmon se Kosova dhe sektori i saj privat jo vetëm që mund ta përqafojnë arsimin dual, por edhe kanë gatishmëri për ta zhvilluar më tej këtë model. Ky është një ndryshim shumë domethënës, sepse kur bizneset fillojnë ta shohin aftësimin profesional jo si kosto apo përgjegjësi vetëm të shkollës, por si investim në zhvillimin e tyre, atëherë kemi krijuar bazën për një qasje të qëndrueshme”, shtoi Rafuna.
Ministri i Arsimit, Hajrulla Çeku, ka thënë se prioritet i Kosovës në arsim është ngritja e cilësisë dhe përafrimi i arsimit profesional me nevojat e tregut të punës.
Në ceremoninë e ndarjes së granteve të Fondit Rajonal të Sfidave (RCF) në Kosovë, Çeku tha se vendi ka hyrë në një fazë të rëndësishme të reformimit të sistemit arsimor.
“Dëshiroj të shpreh mirënjohjen time për Fondin Rajonal të Sfidave, qeverinë gjermane dhe qeverinë zvicerane për mbështetjen e vazhdueshme që po ia japin zhvillimit të arsimit dhe aftësimit profesional në vendin tonë, Arsimi në Kosovë ka hyrë në një fazë të rëndësishme reformimi, pas shumë vitesh përpjekjesh për zgjerimin e qasjes në arsim, sot, përparësi kryesore kemi ngritjen e cilësisë”, shtoi Hajrullahu.
Ai bëri të ditur se në këtë drejtim ka nisur puna për Strategjinë Shtetërore të Arsimit 2035+, përmes së cilës synohet të përcaktohet drejtimi i reformave për dekadën e ardhshme.
Sipas Çekut, arsimi dhe aftësimi profesional zënë një vend të rëndësishëm në këtë proces, me synimin që të rinjtë të fitojnë profesione dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në Kosovë.
“Duam një sistem arsimor që u përgjigjet më mirë nevojave të tregut dhe zhvillimit të vendit tonë. Në këtë frymë kemi nisur punën për strategjinë shtetërore të arsimit 2035+ përmes së cilës po përcaktojmë drejtimin e reformave për dekadën e ardhshme”, tha Çeku.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet shkollave dhe bizneseve, duke vlerësuar se të rinjtë duhet të kenë më shumë mundësi për mësim praktik, ndërsa ndërmarrjet duhet të përfshihen më shumë në përgatitjen e profesionistëve të rinj.
“Arsimi dhe aftësimi profesional zë një vend të rëndësishëm në këtë proces të planifikimit strategjik. Duam që arsimi profesional të jetë një zgjedhje tërheqëse për rininë tonë që u mundëson të fitojnë një profesion dhe të ndërtojnë një të ardhme më të mirë në Kosovë”, shtoi Çeku.
Ai shtoi se synim i Ministrisë është që përvojat e suksesshme të projekteve të bëhen pjesë e qëndrueshme e sistemit arsimor, ndërsa paralajmëroi vazhdimin e punës për reformimin e kornizës ligjore dhe institucionale të arsimit profesional.
“Qëllimi ynë është që përvojat e suksesshme të këtyre projekteve të bëhen pjesë e qëndrueshme e sistemit tonë arsimor. Pikërisht për këtë po punojmë edhe në reformimin e kornizës ligjore dhe institucionale të arsimit profesional në Kosovë”, deklaroi Hajrullahu.
Në fund, Çeku falënderoi Gjermaninë dhe Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme në zhvillimin e arsimit profesional në Kosovë dhe përgëzoi institucionet arsimore dhe ndërmarrjet e përfshira në projektet e financuara.
“Të ndëruar të pranishëm, Gjermania dhe Zvicra kanë qenë partnerë të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit profesional në vendin tonë. Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që vazhdoni të tregoni, I përgëzoj institucionet arsimore dhe ndërmarrjet që janë pjesë e këtyre projekteve. Angazhimi juaj është një kontribut i drejtpërdrejtë në krijimin e mundësive më të mira edhe për rininë tonë, edhe për zhvillimin e vendit tonë. Ju faleminderit”, shtoi Çeku.
