Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar përgjegjësi institucionale pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke thënë se rasti dëshmon dështimin e shtetit, pasi viktima kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Haxhiu u ka bërë thirrje deputetëve që të kërkojnë llogaridhënie nga të gjithë zyrtarët që mund të kenë dështuar në trajtimin e rastit, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te reagimet publike të grave.
“Këtu ka dështu shteti. Këtu jo vetëm që u ka marrë jetën një gruaje, por ajo letër për mua ka qenë diçka që nuk besoj se e ka lon dikënd me flejt mbrëmë. Me u kthy me e lexu e me rilexu. Prandaj, edhe një herë, prej këtij momenti, në çdo vend, ta ngritim zanin me kërku përgjegjësi. Derisa dikush nuk merr përgjegjësi, atëherë unë nuk kam çka i them një gruaje. Ma kërkush në këtë vend nuk është i sigurt”, tha Haxhiu.
Ajo ka rikujtuar se Arlinda Zekaj kishte paralajmëruar institucionet për rrezikun dhe kishte kërkuar ndërhyrje, duke kërkuar nga deputetët që të reagojnë dhe të kërkojnë përgjegjësi për çdo veprim apo mosveprim të mundshëm të zyrtarëve.
“Një gru që paralajmëron institucionet, një gru që kërkon shpëtim, një gru që paralajmëron për gjithçka që do të ndodhë edhe me ndodhë, ky është kulmi. Prandaj, ju lus të gjithëve, si deputetë, mos pritni vetëm gratë me bë reagime, mos pritni vetëm gratë me kërku përgjegjësi. Por edhe prej këtuhit, të kërkojmë përgjegjësi për secilin që ka bo qoftë edhe një hap më të voglin të papërgjegjshëm duke mos përcjellë procedurën e rastit në fjalë. Nuk është politike, nuk besoj që mundet dikush me mendu në këtë rast, kurrë nuk do të doja, por nuk mundem kurrë me e hek prej mendjes atë shkrim të asaj gruaje fjalë përgjegjësi edhe duke tregu që jeta po i merret. Prandaj, më falni, prandaj kërkoj edhe lus secilin deputet ta bëjë punën e vet, të ngritë zanin për këtë çështje”, tha ajo.
Edhe zëvendëskryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Fahrush Rexhepi, ka shprehur shqetësim për rastin, duke thënë se problemet që po përjeton shoqëria kërkojnë angazhim të përbashkët institucional.
“Ndajmë me ju dhe ndjejmë dhimbje dhe shqetësim edhe ne. Jo vetëm për këtë rast, por shqetësimet dhe preokupimet janë të mëdhaja në shoqërinë tonë, tani arsyet, shkaqet janë të shumta. Por ne duhet të kontribuojmë, pavarësisht ku jemi dhe prej cilës pozitë flasim. Qoftë edhe prej pozitës së deputetit, shoqërinë tonë e shohim se shumë gjëra kanë degraduar. Personalisht, s’kam shqetësime probleme personale, shqetësimin kryesor vazhdimisht e kam për këtë vend, për këtë shoqëri. Ku jem edhe ka po shkojmë edhe si po sillemi. Por është një temë, mendoj, shumë, shumë e gjerë. Dhe shpresoj edhe besoj që do të ketë përmirësime, bashkërisht të gjithë”, tha ai.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili, sipas informacioneve të bëra publike, ndodhet ende në arrati. Sipas të dhënave fillestare, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë drejtuar kryeprokurores së Prokurorisë Themelore në Pejë, përmes së cilës kishte kërkuar masa urgjente ndaj zyrtarëve të institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar se ata nuk i kishin përmbushur detyrat e tyre zyrtare.
Në parashtresën që mban vulën e pranimit të 22 tetorit, ajo kishte paralajmëruar për rrezikun dhe shqetësimin se institucionet mund të reagonin vetëm pasi të merrej një jetë njerëzore.
“Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo, duke e cilësuar kërkesën si “shpresën time të fundit”.
Në parashtresë, Zekaj kishte kërkuar hetimin e përgjegjësive institucionale dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete lidhur me çështjen për të cilën kishte kërkuar ndihmë. Sipas informacioneve të bëra publike, ajo më herët kishte kërkuar ndihmën e Policisë për dhunë në familje, si dhe veprime urgjente lidhur me pretendimet për moskryerjen e detyrave zyrtare dhe ekzekutimin e një vendimi gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë.
Prokuroria Themelore në Pejë ka konfirmuar se parashtresa ishte pranuar më 22 tetor nga kryeprokurorja, e cila kishte urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent.
“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent edhe institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale. Atyre u është kërkuar të shqyrtojnë pretendimet dhe të verifikojnë lëshimet e mundshme ose veprimet e zyrtarëve, brenda përgjegjësive të tyre.
Lidhur me kërkesën për ekzekutimin e vendimit gjyqësor për shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka bërë të ditur se vendimi është ekzekutuar me ndërmjetësimin e prokurores kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë ka theksuar se të gjitha rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e të ndjerës dhe veprimet e institucioneve përgjegjëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore.
Pas vrasjes ka reaguar edhe avokatja Adelina Hoxha, e cila e kishte përfaqësuar Zekajn në raste të dhunës në familje. Përmes një postimi, Hoxha ka bërë të ditur se viktima i ishte përgjëruar për ndihmë, duke i thënë se jeta nuk kishte kuptim për të pa djalin e saj.
“Një grua që mu përgjërua të bëj gjithçka, se nuk i duhet jeta pa djalin e saj… Sonte u vra nga kunati me sëpatë. Por jo, Arlindën e vrau shteti. Nesër për ju të gjitha dëshmitë”, ka shkruar avokatja.
