Sot bëhen 14 vjet nga masakra e Lubotenit, kur forcat maqedonase të sigurisë vranë dhjetë civilë shqiptarë në këtë fshat të Shkupit.
Ky përvjetor gjithmonë është i dhimbshëm për banorët e këtij fshati dhe gjithë shqiptarët në Maqedoni, pasi që përkujton masakrën kur forcat maqedonase të sigurisë vranë 10 civil shqiptar.
Atë mëngjes të 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore-ushtarake në fshatin Luboten ku vranë dhjetë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6 vjeçar Erxhan Aliu, si dhe Dalip Murati, Muharrem Ramadani, Memet Memeti, Rami Jusufi, Xhelal Bajrami, Kadri Jashari, Bajram Jashari, Sulejman Bajrami, Atulla Qaili.
Në këtë aksion u dogjën 14 shtëpi të fshatit, ndërsa u arrestuan dhe keqtrajtuan mbi 100 banorë të tjerë të fshatit, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.
Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u procesuan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.
Johan Tarçullovski u dënua nga Gjykata e Hagës me 12 vjet burg për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë, por ai tanimë ndodhet në liri pas mbajtjes së 8 viteve burg.
Nga ana tjetër, Tarçullovski, por edhe Boshkovksi nga ana e shtetit konsiderohen dhe nderohen si heronj kombëtar të konfliktit të vitit 2001.