Kryeministri, Ramush Haradinaj, thotë se e pati më të lehtë të shkarkojë zëvendësministrin, Musa Cena, pasi që ishte i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Haradinaj këto komente i bëri pasi u pyet nga EkonomiaOnline nëse po përdorë standarde të dyfishta në rastin e shkarkimeve, meqë brenda kabinetit ka edhe ministra me aktakuza.
“Unë ja kam besu, është në ato që ia kam besu punën krejt qeverisjen. Janë disa akuza si e veteranëve dhe disa të tjera që marrin karakter tjetër, por kjo është karakter tjetër. Nuk mundemi me bo tolerancë, unë e kuptoj që njerëzit kanë dëshirë me i kry krejt përnjëherë, e kuptoj atë aspekt, por megjithatë dallojnë. Është një dallim i madh është një mitmarrje tash gjatë funksionimit. Në këtë rast është s’kam çka me bo. Edhe është i Aleancës, edhe ma mirë që është i Aleancës me pas qenë i ndonjë partie tjetër do të thonin po bën ndonjë hakmarrje, nuk është situatë fare e këndshme, por do të veprojmë me atë që e kemi edhe obligim ligjor,” është shprehur Haradinaj.
Ai ka folur edhe për rastin e djalit, Shpend Maxhuni, duke thënë se ende nuk ka ndonjë informatë.
“Me të kam komunikim profesional, jo prej atij me marr informata. Janë duke u bërë hetimet dhe nuk është në rregull ajo punë. Si të kemi ndonjë informatë do ta keni çfarëdo qoftë,” tha Haradinaj në një konferencë për medie pas mbledhjes së qeverisë.
I pari i ekzekutivit ka mohuar dyshimet se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar qëndrim sa i përket mbështetjes për ushtrinë e Kosovës, raporton EO.
“Zotëri Palmer e ka bërë të qartë idenë e Amerikës në Beograd, është diçka e jashtëzakonshme, ai qëndrim është, nuk ka ndryshuar kurrgjë sa i përket evropianeve, ka një gjuhë që nëse e marrim si gjuhë nuk kemi asnjë dallim, është gjithëpërfshirëse . Me respektu Kushtetutën, ligjet kanë në bazë në Kushtetutë, aty jemi. Transformimi i FSK-së është proces që e kemi thënë më herët, çfarë peshe është ajo është temë që ka marrë drejtimin e duhur, e kemi tash Interpolin, liberalizimin e vizave dhe rendin e ligjin,” deklaroi Haradinaj.