Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka pritur sot në Shkup, presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
Kryetari Ahmeti dhe Presidenti Thaçi kanë bashkëbiseduar rreth referendumit të 30 shtatorit si dhe zhvillimeve në rajon, me theks të veçantë mbi dialogun midis Republikës së Kosovës dhe Serbisë, shkruan EkonomiaOnline.
Ahmeti njoftoi presidentin Thaçi mbi mbarëvajtjen e fushatës për referendum duke nënvizuar rëndësinë e madhe që ka zbatimi i suksesshëm i marrëveshjes së Prespës.
Bëhet e ditur përmes një komunikate për medie se kryetari Ahmeti dhe presidenti Thaçi u dakorduan që shqiptarët dhe në përgjithësi të gjithë qytetarët e Maqedonisë duhet të dalin masovikisht dhe të votojnë PRO integrimit në NATO dhe EU.
Bashkëbiseduesit konkluduan që e vetmja e ardhme për vendet e Evropës Juglindore, që siguron paqe të qëndrueshme, siguri dhe stabilitet, është integrimi euroatlantik, shkruan EO.
Ahmeti mbështeti tërësisht përpjekjet intensive të institucioneve të Kosovës me ndihmesë ndërkombëtare për zgjidhje përfundimtare të dialogut me Beogradin mbi demarkacionin e kufirit.
Aty u tha se është koha për një Evropë Juglindore të integruar tërësisht në NATO dhe BE.