Në SHBA, deri në ditën e fundit të dhjetorit, vetëm 2.6 milionë amerikanë kanë marrë vaksinën për COVID-19, duke bërë që vendi të mbetet larg objektivit të qeverisë për të vaksinuar 20 milionë njerëz brenda këtij muaji.
Rreth 14 milionë doza të vaksinave Pfizer dhe Moderna janë shpërndarë deri tani nëpër shtetet amerikane.
Qysh në fillim të dhjetorit, zyrtarët pohuan se brenda këtij muaji do të viheshin në dispozicion 40 milionë doza, të mjaftueshme për të vaksinuar 20 milionë amerikanë me nga dy doza secilin. Qeveria ka thënë se për çdo dozë të dërguar deri tani, ajo mban një dozë të dytë rezervë.
Edhe pse numri i dozave të shpërndara është afër objektivit për të arritur 20 milionë njerëz, ritmi i vaksinimeve ka qenë shumë më i ngadaltë sesa parashikohej, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.
Vaksinimet e 21 milionë punonjësve të kujdesit shëndetësor filluan më 14 dhjetor. Pastaj, do të imunizohen 3 milionë banorët e shtëpive për të moshuarit, të cilët janë gjithashtu në grupin me përparësi.
Pas tyre janë 51 milionë punonjës të vijës së parë, si zjarrfikësit, policët dhe mësuesit, si dhe personat mbi 75 vjeç.