I akuzuari L.H, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë, pasi pranoi fajësinë se në gusht të 2021-ës, ka filluar ndërtimin dhe e ka përfunduar shtëpinë e banimit, me material të fortë brenda oborrit, pa u pajisur paraprakisht me leje ndërtimore.
Aktgjykimi u shpall të premten nga gjykatësi Nexhat Aliu, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, ndaj të akuzuarit L.H, u shqiptuan dy dënime, dënimi me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajve, si dhe 500 euro gjobë.
Mirëpo me pëlqimin e të akuzuarit dënimi me burgim iu zëvendësua në dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro.
Dënimin e shqiptuar më gjobë, i akuzuari obligohet ta paguajë 15 ditë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.
Në rast se i akuzuari nuk mund të paguajë dënimi me gjobë, i njëjti do t’i zëvendësohet në dënim me burgim, duke iu llogaritur për një ditë burgimi shuma prej 20 euro.
Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, i akuzuari obligohet që të paguajë edhe shpenzimet procedurale dhe atë për paushallin gjyqësor shumën prej 20 euro.
Kundër këtij aktgjykimi, palët e pakënaqura në afat prej 15 ditësh kanë të drejtë ankese.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 23 gusht 2021, ka ngritur aktakuzë kundër L.H, me arsyetimin se më 7 korrik 2021, në Viti, në pronën private e të pandehurit, inspektorët e ndërtimit të komunës së Vitisë, kanë konstatuar se i pandehuri L.H, si pronar, investitor i drejtpërdrejtë, ka ndërmarrë veprime që bien ndesh me nenin 14 pika 1.4 të Ligjit për ndërtim. Ashtu që ka filluar ndërtimin dhe e ka përfundua shtëpinë e banimit, me material të fortë brenda oborrit, pa u pajisur paraprakisht me leje ndërtimore, si dhe nuk ka respektua aktvendimin e inspektorit të Drejtorisë së inspektoratit Komunal në Vit për ndërprerje dhe pezullim te punimeve. I akuzuari ka vazhduar ekzekutimin e punëve, dhe atë pa i përfillur dispozitat ligjore për t’u pajisur me leje ndërtimi, në këtë mënyrë i pandehuri me veprimet e tija të kundërligjshme ka rrezikuar sigurinë e përgjithshme që kanë të bëjnë me rregullat e ndërtimit.
Me këto veprime, i pandehuri, akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndërtim pa leje”, nga neni 359 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 2 të Kodit Penal.