Qeveria e Kosovës në krye me Avdullah Hotin, do të mbajë mbledhjen e radhës. Në rend të ditës për shqyrtim janë 20 pika.
Express mëson se ndër pikat e rendit të ditës të cilat do të diskutohen në mbledhjen e sotme të ekzekutivit është edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për miratimin e planit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas marrëveshjes së Uashingtonit të nënshkruar më 4 shtator.
Qeveria do të shqyrtojë propozim vendimin për shfuqizimin e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/110 të datës 26 shkurt 2010”, i cili vendim kishte themeluar taskë-forcën antikorrupsion në kuadër të Policisë së Kosovës.
Më 26 shkurt 2010, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me EULEX-in, kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) që në kuadër të saj të themelojë një departament special anti-korrupsion me qëllim të hetimit dhe luftimit të dukurive korruptuese në Kosovë.
Ekzekutivi sot do të shqyrtojë edhe propozim-vendimin për themelimin e Grupit Punues për përgatitjen e analizës për themelimin e Institutit për Hulumtimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë.