Kryeministri Kurti: Prioritet mbetet rritja e qasjes në edukim cilësor për çdo fëmijë

Prishtinë | 22 Shk 2022 | 17:50 | Nga Ekonomia Online

Në qeverisjen tonë, prioritet mbetet rritja e qasjes dhe përfshirjes në edukim cilësor për çdo fëmijë, pa dallim, si një e drejtë e garantuar, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në organizimin e nivelit të lartë mbi zhvillimin në fëmijëri të hershme në Kosovë.

Sigurimi i qasjes fizike, përmes ndërtimeve të çerdheve të reja, adaptimi i hapësirave shkollore për këtë nivel, e niveli i politikave mbështetëse, u veçuan nga kryeministri si kryesoret për rritjen e qasjes dhe përfshirjes në edukim cilësor.

Bashkërisht me këtë synohet ngritja e cilësisë përmes zhvillimit të kapaciteteve dhe shfrytëzimit më racional të resurseve. Me këtë rast kryeministri theksoi përmirësimin e infrastrukturës ligjore, hartimin e kurrikulës me fokus në edukimin përmes lojës, si dhe ngritjen e kapaciteteve të gjithë personelit që punojnë me fëmijët.

Në këtë ngjarje të organizuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, së bashku me Bankën Botërore dhe UNICEF-in, u mblodhën politikëbërësit e nivelit të lartë dhe opinionistët për ta mobilizuar zotimin ndaj zhvillimit në fëmijëri të hershme.

Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:

E nderuar Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani Sadriu,
E nderuara Zëvendëskryeministre e Qeverisë së Republikës së Kosovës, znj.Emilia Rexhepi,
E nderuara Ministre e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci,
I nderuar Ministër i Shëndetësisë, z.Rifat Latifi,
E nderuar Zëvendëspresidente, Zyra për Evropë dhe Azi Qendrore nga Banka Botërore, znj. Anna Bjerde,
E nderuar Drejtoreshë Rajonale për Evropë dhe Azi Qendrore, znj. Afshan Khan,
Të nderuar deputetë të Kuvendit, zëvendësministra, drejtues të institucioneve,
Zonja dhe zotërinj,

Kam kënaqësinë të marrë pjesë në këtë organizim që ka për qëllim mobilizimin e përkushtimit tonë ndaj edukimit ne fëmijërinë e hershme. Ngjarje që është organizuar nga zyra e Presidencës me përkrahje nga Banka Botërore dhe UNICEF. 

Posaçërisht e kam kënaqësinë që si Kryeministër të flas për rëndësinë që ka edukimi në fëmijërinë e hershme për individin qytetar, por edhe për zhvillimin e shtetit, veçanërisht për rëndësinë e bashkëpunimit të sektorëve, në mënyrë që të ngritet cilësia e çdo shërbimi për fëmijë në këtë moshë.

Edukimi i fëmijëve është e drejtë kushtetuese. Ofrimi i mbështetjes për fëmijët në vitet e para të jetës ndikon në zhvillimin e shëndetshëm, në edukimin e tyre, dhe në zhvillimin e mëpastajshëm socio-emocional, kognitiv e gjuhësor.

Përfituesit primar janë fëmijët dhe prindërit, mirëpo investimi në edukimin e hershëm sjellë edhe përfitime shoqërore dhe ndikon drejtpërsëdrejti në ekonominë vendit.

Në aspektin afatshkurtër është më e kushtueshme, mirëpo në aspektin afatgjatë, sa më herët që fillon investimi, aq më i lartë do të jetë kthimi në investim, sikurse që do të jenë të larta dhe përfitimet për shoqërinë në përgjithësi. Hulumtimet tregojnë se për çdo investim në fëmijërinë e hershme, kthimi në investim do të jetë nëntëfish.

Investimi në këtë nivel, ndikon pozitivisht në përgatitjen e fëmijës për shkollë, e ngritë mundësinë e zhvillimit të një qytetari të përgjegjshëm e të gatshëm për të kontribuar në shoqëri, dhe ka ndikim në zvogëlimin drastik të hendekut në mes të fëmijëve me standard të ulët jetësor dhe atyre me standard të lartë.

Pabarazia e varfëria janë të rënda për të gjithë qytetarët, por ato janë më të rënda pikërisht për fëmijët.

Në Kosovë, ne përballemi me përfshirje shumë të ulët në edukim të hershëm për shkak të numrit të pamjaftueshëm të institucioneve dhe pamundësisë financiare.

Prandaj në qeverisjen tonë, prioritet mbetet rritja e qasjes dhe përfshirjes në edukim cilësor për çdo fëmije, pa dallim, si një e drejtë e garantuar.

Unë ju përgëzoj për këtë organizim dhe dua të theksoj disa gjëra të cilat janë të domosdoshme për ta arritur këtë synim të përbashkët:

·         Të sigurojmë qasje fizike, përmes ndërtimeve të çerdheve të reja, adaptimit të hapësirave shkollore për këtë nivel, dhe nivelit të politikave mbështetëse, siç janë: kushte preferenciale të pagesës ose lirimit nga pagesa për familjet në nevojë; organizimit të transportit; krijimi i mjediseve të përshtatshme dhe sigurimi i pajisjeve për fëmijë me aftësi të kufizuara e lehtësimi i procesit të licencimit.

Bashkërisht me këtë synohet ngritja e cilësisë përmes zhvillimit të kapaciteteve dhe shfrytëzimit më racional të resurseve. Me këtë rast do të kisha theksuar tri gjërat kryesore:

·         Duke përmirësuar infrastrukturën ligjore. Bazuar mbi këtë ne e kemi hartuar draft ligjin për edukim të hershëm, ku do të rregullohen, përveç tjerash: format e ofrimit, kordinimi ndërsektorial, edukimi në familje dhe licencimi.

·         Pastaj hartimi i kurrikulës e cila do të zhvillohet me fokus në edukimin përmes lojës;

·         Dhe e treta, duke ngritur kapacitetet e gjithë personelit që punojnë me fëmijët në mënyrë që të ngritet cilësia e ofrimit të çdo shërbimi, të përmirësohet monitorimi dhe llogaridhënia si dhe të përmirësohet qasja ndaj fëmijës.

Përmes kësaj ne duam që të rritet numri i bashkëpunëtorëve profesional, zhvillimit të standardeve të punës dhe të programeve, dhe përmirësimi i procesit të raportimit e monitorimit; ngritjes së kompetencave pastaj të edukatorëve, të inspektorëve dhe të Drejtorateve Komunale të Arsimit për mbikëqyrje dhe vlerësim të drejtorëve, për menaxhim efektiv. Po ashtu, edhe mbështetja e mirëqenies së fëmijës, përmes trajnimeve të ndryshme për gjithëpërfshirje: si çështjet gjinore, që duhet të mësohen në fëmijërinë e hershme, identifikimi dhe qasja pedagogjike për fëmijët me aftësi të kufizuara, nevoja të veçanta, ushqyeshmëri, siguri dhe mbrojtje.

Bashkëpunimi ndërsektorial është një parakusht i domosdoshëm që të sigurojë zhvillim cilësor për fëmijët në moshën e hershme. Kështu çdo institucion duhet të jetë i ndërlidhur e të ofrojë shërbime cilësore, dhe që bashkërisht të zgjerojmë qasjen në çdo program të zhvilluar.

E gjithë kjo punë do të bëhet paralelisht me ngritjen e vazhdueshme të vetëdijesimit për rëndësinë e edukimit të fëmijërisë së hershme, përmes zbatimit të programeve të ndryshme për prindërit dhe për komunitetin, si dhe organizimin e sesioneve informuese në nivel qendror dhe lokal.

Zhvillimi, kujdesi dhe edukimi cilësor i fëmijëve janë thelbësore në vetvete, por edhe faktor kryesor në zhvillimin e shoqërisë tonë me qytetarë aktiv.

Ju përgëzoj për organizimin, ju faleminderit Presidente, dhe u dëshiroj të gjithëve diskutim të frytshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme