20 vjet burgim për vrasjen e 90-vjeçares nga Shtërpca

Ferizaj | 12 Kor 2017 | 15:22 | Nga

Gjykata Themelore në Ferizaj e ka shpallur fajtore të pandehurën N. N., shtetase e Serbisë, për vrasjen e 90-vjeçares Dreaginja Nikolqeviq nga Shtërpca. Vrasja me thikë kishte ndodhur në gusht të vitit të kaluar.

E moshuara, e cila jetonte e vetme, ishte qëlluar për vdekje me thikë në qafë dhe kokë, nga N.N. 28-vjeçare, e cila kishte marrëdhënie familjare me viktimën.

Gjykata Themelore në Ferizaj, trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, më 12 korrik 2017, shpalli aktgjykim dënues ndaj të pandehurit N.N, e cila në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, akuzohet se ka kryer veprën penale Vrasja e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Trupi Gjykues pas mbajtës së shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të palëve, administrimit të të gjitha provave, fjalëve përfundimtare, aktakuzës së prokurorisë për veprën penale vrasja e rëndë nga neni 179 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 të KPRK-së, të pandehurën N.N e gjykoi me dënim burgimi në kohëzgjatje prej 20 vjet.

E pandehura N.N, akuzohet se në gusht të vitit 2016, në Shtërpcë, me dashje dhe në mënyrë mizore nga motivet e ulëta, ka privuar nga jeta të dëmtuarën D.N e moshës 90-vjeçare.

“Konform nenit 367 paragrafi 2 të KPPRK-së, të pandehurës i vazhdohet masa e paraburgimit, derisa aktgjykimi të merr formën e prerë, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar me aktgjykimin si më lartë”, sqaron Gjykata Themelore e Ferizajt, nëpërmes një komunikate shtypi.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme