Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për t’i rekomanduar Presidentit të Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes për financim për Projektin për Sigurinë e Ujit dhe Mbrojtjen e Kanalit, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.
Zëvendësministri i Financave, Agim Krasniqi, theksoi se fondet që do të huazohen nga kjo marrëveshje, do të përdoren për financimin e projektit, pra për sigurinë e ujit dhe mbrojtjen e kanalit, përkatësisht rivitalizimin e kanalit Ibër-Lepenc dhe ndërtimin e një rezervuari të ujit, i cili do të shërbej për raste emergjence, raporton Ekonomia Online.
“Kjo marrëveshje ka vlerën prej 22 milionë euro, norma efektive e interesit vjetor është 1.4 për qind, grejs periudha është 5 vite, si dhe një periudhë të kthimit prej 20 vjetësh. Nga shuma totale 15 milionë euro do të huazohen te Ibër-Lepenci, kurse pjesa e mbetur do të huazohet nga Qeveria e Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Kryeshefi ekzekutiv i ndërmarrjes “Ibër-Lepenc”, Januz Kabashi, ditë më parë në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se në këtë ndërmarrje në vazhdimësi janë bërë investime, ndërsa investimi më i madh është përmes kësaj kredie 22 milionëshe.
Ai ka theksuar se është bërë Studimi i Fizibilitetit, nga një kompani e Bankës Botërore, janë bërë të gjitha analizat dhe se riparimi i këtij sistemi do të përfundojë brenda pesë vjetësh.