Sot, më 9 qershor 2023, bëhen 24 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilën iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq.
Kjo marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë.
Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i), po ashtu u caktua një zonë sigurie ajrore 25 kilometra përtej kufirit të Kosovës) si dhe u caktua një zonë prej 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.. Marrëveshja e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë, dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës serbe, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, më pas i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Por çfarë ndodhi me ish-të burgosurit të cilët mbaheshin nëpër burgjet e Kosovës?.
Ishte data 9 qershor kur në dhomën nr.2 në katin e parë të Pavijonit B, në burgun e Lipjanit, hyri një gardian serb që ditë më parë na kishte treguar se është nga qyteti i Leskovacit, ai na urdhëroi që t’i dorëzonim gjësendet që i kishim të fshehura nëpër rrobat tona. Ne që ishim të burgosur të vjetër, nuk kishim as lidhëse të këpucëve, ndërsa një grup prej 150 të burgosurve shqiptar nga Gjakova të cilët i kishin arrestuar në maj të vitit 1999 kishin deviza (marka) me veti. Urdhri ishte i prerë nga gardiani: Çka të keni te fshehura t’i hidhni një kapelë të një të burgosurit të Gjakovës, ne kapelën e Mehdi Ferizit. Ne në dhomë ishim diku nja 30 të burgosur, pesë nga ne ishim me një stazh më të gjatë në burgje dhe siç tregova dhe më lartë nuk kishim asnjë kacidhe, ndërsa grupi i të burgosurve gjakovar, nga frika filluan të dorëzojnë markat. Aty u dorëzuar mbi 10 mijë marka gjermane, aq sa kishin. Kur hyri gardiani në dhomë për të shikuar se a e kemi zbatuar urdhrin e tij, nga gëzimi që pa shumë marka në tokë, (kapela ishte mbushur plotë marka), filloj t’i mbush gjepat me marka dhe na urdhëroi neve të dalim me pi ujë, edhe pse nuk kishim kërkuar ujë. Sa herë kërkonin për të dalë me pi ujë ose për të shkuar në WC, na rrihnin gardianët kështu që edhe pse kishin nevoja fiziologjike dhe etje duronin shumë që të mos dilnim.
Ne dolëm jashtë aty në korridor dhe ku gardiani i “pasur” tanimë, na dha lajmin se po ndalet lufta sepse po bahet një marrëveshje në Kumanovë të Maqedonisë. Ne ishim të befasuar me këtë informatë, dhe nuk dinin a të besonim apo jo, megjithatë filluam të besojmë sepse gardiani nuk kishte arsye të na jepte atë lajm të gëzuar për ne. Ne aty vetëm rrahje, dhunë e maltretime kishim çdo ditë. Pasi i kthyem në dhomën tonë të vogël, aty 30 të burgosur, dola në dritare dhe i pash që nëpër dritare në pavijonin tjetër përball nesh kishte edhe të burgosur tjerë shqiptar që pritnin ndonjë lajm nga të burgosurit ordiner të cilin punonin nëpër oborrin e burgut etj. Unë hapa dritaren dhe komunikova me Demir Limën ne distancë me një zë të vogël, por që edhe ai e dëgjoi informatën time. I thash Demirit: “Gardiani na tha që po mbaron lufta, sepse ishte arrite një marrëveshje në Kumanovë të Maqedonisë”, Demiri ua komunikoj informatën atyre shokëve në dhomë, më pas informata mori dheun, u përhap nëpër të gjitha dhomat e burgut. Më vonë një i burgosur, kishte kërkuar të shkonte ne banje, ai ishte në katin e dytë në pavijon përball nesh, dhe hapi dritaren e banjës e na dha edhe ai lajmin që ishte përhapë, megjithatë lajmi burimin e kishte nga dhoma nr.2.
Kushtet në burgun e Lipjanit
Ajo ditë deri në mbrëmje ishte e qetë, nuk na rrahu askush në dhomën tonë, u bë ora e pasdites dhe u ndërruan gardianët, iku edhe gardiani i “pasur” sepse kishte mbaruar ndërrimin, dhe erdhën tjerët. Diku pas orës 12 e natës, hyrën dhunshëm nëpër dhoma një grup i gardianëve dhe na morën dy të burgosur, mua dhe Agron Sylën, na i lidhën duart me konop dhe na qitën jashtë dhomës, për të na dërguar në pavijonin tjetër. Gjatë rrugës na rrahën sa mundën dhe kjo ishte rrahja e fundit që përjetova në burgun e Lipjanit. Ata na dërguan në një dhomë sepse kishin filluar t’i bënin listat për të na transferuar dhe një autobus kishte vend edhe për ty të burgosur. Kur na kanë larguar nga dhoma ishin dëgjuar dy krisma pushkësh dhe shokët e dhomës kishin menduar që na kanë vrarë neve, ashtu na treguan kur i takuam në burgun e Nishit.
Në dhomën që na futën i pamë të gjithë të burgosurit me duar të lidhura pas shpine dhe as ata nuk e dinin se çka po ndodhë. Mendonim që nëse ka zhvillime pozitive na largojnë nga Kosova e na dërgojnë në Shqipëri, këtë mendim e kishim, sepse thoshin që më Dubrava nuk përsëritet, tani më Serbia s’ka çka me bërë më shumë dëme ndaj nesh.
21 vjet nga tërheqja e forcave ushtarake të Serbisë nga Kosova – Gazeta Express
U bë mëngjesi, dhe na urdhëruar ashtu dy nga dy të dalim nga dhomat e burgut. Gardianët kishin bërë një kordon të zakonshëm por sot, nuk na rrahën vetëm na urdhëruan që me kokë poshtë e me duar pas shpinë të vraponim për në autobusë. Një dalje që ishim bashkë të lidhur më tha që po na dërgojnë për Shqipëri, dhe unë ngrita kokën pak dhe pash që në autobusë shkruante “Llasta” dhe “Express”, autobusë që kishin tabelat Nish e Beograd. Nuk ia prisha dëshirën bashkëvuajtësit tim, por realiteti që po ndodhte ishte i hidhur. Na hipën në autobus, ndërsa para dyerve të burgut të Lipjanit jashtë rrethojës , përpos plotë autobus pamë dhe shumë ushtar e mjete motorike të cilët dukeshin që po niseshin edhe atë për ndonjë rrugë të gjatë.
Ashtu dhe ndodhi. U nisën autobusët dhe në mes të çdo autobusi edhe nga një automjet ushtrie. Autobusi mori rrugën për Prishtinë, dhe aty e kuptuam që po na dërgojnë për Serbi. Gjatë gjithë rrugës kishte traktor, vetura, kamionë, autobusë, tanke e mjete tjera të cilët i kishim mbushur me plaçka të shqiptarëve dhe po lëshonin Kosovën e bashkë me ta edhe në pengjet e luftës lëshonin Kosovën jo me dëshirën tonë, për t’u kthyer pas 2 e më shumë vitesh prapë në vendlindjen tonë, në Kosovë, e çliruar.
Në burgun e Lipjanit ishim të gjithë ish të burgosurit që kishim përjetuar masakrën e Dubravës, por kishte edhe tjerë të burgosur që i kishin arrestuar pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, mbi caqet serbe në Kosovë e Serbi.
(Autori është ish ushtar i UÇK-së, ish-i burgosur, i mbijetuar i Masakrës së Dubravës).