241 punonjës të Policisë u hetuan vjet

Prishtinë | 15 Shk 2017 | 12:03 | Nga

Inspektorati Policor i Kosovës prezantoi sot raportin vjetor për vitin 2016 duke shpalosur para të pranishmëve statistikat dhe të dhëna tjera për punën e Departamentit të Hetimeve, Hetimeve Speciale, Inspektimeve, Shqyrtimit dhe Menaxhimit të Ankesave etj.

Në këtë prezantim që u realizua në sallën e trajnimeve në ndërtesën e IPK-së në Hajvali morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të institucioneve që ndërlidhen me fushën e sigurisë, prokurorisë etj.

Në fjalën e tij të rastit, Ministri i Punëve të Brendshme  Skender Hyseni falënderoi të gjithë zyrtarët e IPK-së për punën dhe angazhimin e tyre duke e cilësuar vitin 2016 si të suksesshëm për IPK-në dhe duke potencuar se përkrahja nga MPB-ja nuk do të mungojë:

“Është detyrë e Qeverisë së Kosovës e në mënyrë më specifike e MPB-së, të përkrah në mënyrë të veçantë IPK-në, sepse derisa unë vazhdoj të them se policia është palca kurrizore e shtetit, IPK është palca kurrizore e kësaj palce kurrizore. IPK është aty për të siguruar që asnjëherë nuk do të lejojmë që ndonjë individ i papërgjegjshëm në polici ta prish imazhin e shkëlqyer të Policisë së Kosovës, sepse në Republikën e Kosovës ka një polici shumë profesionale, të trajnuar mirë . E tërë kjo e shton edhe një detyrë më shumë për IPK-në që të sigurohemi që atë polici ta ruajmë si të tillë” – theksoi ndër të tjera Ministri Hyseni.

Edhe Kryeshefi i IPK-së z. Hilmi Mehmeti në fjalën e tij të rastit potencoi disa nga sukseset e Inspektoratit Policor duke përshkruar rrugëtimin 10 vjeçar të IPK-së si një mekanizëm që gëzon besueshmërinë e qytetarëve të vendit:

“Në kuadër të angazhimeve dhe të përgjegjësive ligjore, gjatë vitit 2016, Inspektorati Policor i Kosovës ka trajtuar një numër të madh të ankesave të qytetarëve, ka zhvilluar shumë inspektime në fusha të ndryshme të punës së Policisë së Kosovës dhe ka trajtuar një numër të konsiderueshëm të rasteve penale. I gjithë ky sukses në punën e IPK-së, do të ishte i pamundur pa bashkëpunimin dhe besimin e qytetarëve, andaj edhe me këtë rast i falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin me IPK-në dhe iu bëjmë thirrje atyre që edhe në të ardhmen, informacionet dhe ankesat e tyre të mos hezitojnë t’i drejtojnë tek Inspektorati Policori i Kosovës, i cili me profesionalizëm dhe pa anshmëri, do t’i trajtojë ato, duke pasur të vetmin udhërrëfyes, ligjin dhe procedurat ligjore” – theksoi ndër të tjera Kryeshefi Mehmeti duke falënderuar MPB-në për përkrahjen e kërkesës së IPK-së për rritjen e numrit të personelit të nevojshëm të IPK-së.

Pas prezantimit të raportit vjetor në këtë ngjarje u ndanë mirënjohje për punonjësit e dalluar të IPK-së si dhe partnerët vendor e ndërkombëtar që ndihmuan IPK-në në realizimin e objektivave ligjore.

Në vijim do të gjeni edhe një përmbledhje të raportit vjetor të IPK-së.

Përmbledhje e aktiviteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës gjatë vitit 2016

Misioni i Inspektoratit Policor të Kosovës është që përmes ushtrimit të veprimtarisë së tij, të sigurojë një shërbim policor të përgjegjshëm, demokratik dhe transparent, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet e kërkuara.

IPK gjatë vitit 2016 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1362 ankesa dhe informata dhe në krahasim me vitin e kaluar numri i ankesave ishte pothuajse i njëjtë me një ngritje të lehtë (vitin e kaluar IPK ka trajtuar 1237 ankesa). Prej tyre 821 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës.

Nga 165 raste me elemente të veprës penale, 111 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamentet e Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 37 raste. Në total ishin 241 punonjës të PK-së si subjekt i hetimit nga IPK-ja.

Gjatë vitit 2016, IPK-ja ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime:

– 69 arrestime,

– 99 rekomandime për suspendime dhe

– 6 rekomandime për transfere.

Këtë vit IPK-ja ka hetuar 55 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare .

Një ndër funksionet bazë të Inspektoratit Policor të Kosovës është edhe zhvillimi i inspektimeve ndaj Policisë së Kosovës. Këto inspektime realizohen në mënyrë që përmes tyre të bëhet identifikimi dhe parandalimi i çfarëdo devijimi nga aktet ligjore dhe procedurat me të cilat funksionon Policia e Kosovës.

IPK ka realizuar gjithsej nëntë projekte inspektimi; pesë inspektime të rregullta dhe katër të jashtëzakonshme.

Inspektimet e rregullta:

1. Vlerësimi i menaxhimit të burimeve njerëzore mbi shpërndarjen e personelit në Policinë e Kosovës;

2. Vlerësimi i organizimit dhe performancës të stacioneve policore në Divizionin për Operativë;

3. Inspektimi i dhomave të ndalimit në Policinë e Kosovës

4. Inspektimi i menaxhimit të armëve, municionit dhe pajisjeve tjera

5. Inspektimi i procedurave të shoqërimit, ndalimit dhe arrestimit nga Policia e Kosovës;

Inspektime te jashtëzakonshme;

1. Vlerësimi i mënyrës i së kryerjes së detyrave nga zyrtaret policorë me datë 28 nëntor 2015;

2. Vlerësimi i efikasitetit të patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë përgjatë vijës kufitare Kosovë-Shqipëri;

3. Vlerësimi i efikasitetit në zbatimin e memorandumit të bashkëpunimit për organizimin e shërbimeve te përbashkëta të policimit rrugor të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar në territorin e Republikës së Shqipërisë gjatë sezonës së verës;

4. Vlerësimi i performancës policore gjatë fillimit të ndërrimit nga ora 08-16 në Stacionet policore;

IPK në kuadër të aktiviteteve të natyrës preventive, në organizim dhe bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në dhe Policinë e Kosovës ka mbajtur mbi 20 tryeza të rrumbullakëta me zyrtarët policorë të Drejtorive Rajonale të Policisë së Kosovës duke përfshirë tryezat e organizuara në Prishtinë, Prizren, Mitrovicën e Veriut, Mitrovicën e Jugut, Gjakovë, Pejë, Gjilan dhe tryeza e rrumbullakët në Ferizaj.

Këto aktivitete të përbashkëta në mes IPK-së , OSBE-së dhe PK-së që u realizuan në të gjitha Drejtoritë Rajonale të Policisë së Kosovës kishin për synim diskutimet e hapura për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, të drejtat e punonjësve të PK-së në rastet e hetimit të brendshëm, rëndësinë e integritetit policor etj.

IPK ka realizuar edhe disa takime me qytetarë në bashkëpunim me Organizatën joqeveritare ACDC (Advocacy Center for Democratic Culture) me seli në Mitrovicën e Veriut dhe kishte për synim diskutimet e hapura me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveqanit dhe Zubin Potokut për fushëveprimin e IPK-së (rolin dhe autorizimet), shpjegimet për ecurinë e procedurës hetimore në rastet që trajton IPK në përputhje me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës, procedura disiplinore dhe ecuria e saj dhe rëndësinë e integritetit policor.

Zhvillimi i marrëdhënieve me publikun dhe fuqizimi i bashkëpunimit me organizatat vendore dhe ndërkombëtare është i rëndësisë së veçantë për IPK-në..

Në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar gjatë vitit 2016 është nënshkruar protokolli për inspektime të përbashkëta në kuadër të memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës në Kosovës mbi Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Kontrollit të Brendshëm.

Në kuadër të zbatimit të këtij memorandumi IPK në bashkëpunim me Shërbimin për Çështje të Brendshme dhe Ankesa (Republika e Shqipërisë) ka realizuar dy inspektime të jashtëzakonshme duke vlerësuar efikasitetin e patrullimeve të përbashkëta të Policisë së Kosovës dhe Shqipërisë përgjatë vijës kufitare Kosovë-Shqipëri dhe vlerësimin e shërbimeve te përbashkëta të policimit rrugor të Policisë së Kosovës dhe Policisë së Shtetit Shqiptar.

Gjatë këtij viti, IPK-ja ka pasur një mori aktivitetesh nën vazhdën e përpjekjeve për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme me qytetarë dhe partnerë të ndryshëm, me organizata qeveritare e jo qeveritare dhe me media. Në kuadër të këtyre aktiviteteve përfshihen takimet me Avokatin e Popullit, KMDLNJ-në, pjesëmarrja në Konferencën e 16-të të EPAC-ut, pjesëmarrja në konferencën e organizuar nga DCAF për integritetin policor të mbajtur në Podgoricë të Malit të Zi etj.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme