Unë jam 22 vjeç dhe dua të bëhem milioner para moshës 35 vjeçare. Si mund t’a arrij këtë?”. Kjo pyetje fillimisht u bë në Quora- vendin ku mund të fitoni dhe të ndani dijet tuaja, duke fuqizuar njerëzit përmes mësimit nga njëri-tjetri dhe përmes një kuptimi më të mirë për botën.
Përgjigjja është dhënë në Quora nga Alberto Favaretto, sipërmarrës dhe investitor:
Potenciali juaj mund të ndryshojë, por këto janë gjërat që duhen bërë (sa më parë, aq më mirë):
Së pari: reduktoni shpenzimet tuaja në mënyrë drastike
Shisni të gjitha gjërat që nuk ju duhen (TV, Xbox, PlayStation, etj).
Mos bëni shopping vetëm për hir të blerjes.
Mos pini cigare, drogë, alkool, etj.
Fshini aplikacionet e Facebook, Instagram, Twitter dhe Pinterest nga celulari juaj në mënyrë që të keni akses vetëm përmes desktopit të kompjuterit tuaj (në këtë mënyrë do të reduktoni kohën që shpenzoni aty deri në 90%).
Flini 8 orë gjumë, vazhdimisht.
Vendosni me përpikmëri nëse keni nevojë vërtet për të blerë gjëra të reja.
Mësoni sesi funksionojnë taksat tuaja. Pasi ta keni kuptuar këtë, mund të flisni me llogaritarin/en (do jeni të aftë të kontrolloni sesi ai/ajo po punon me taksat tuaja).
Largohuni nga miqtë e rremë, i dashuri/e dashura që kërkojnë shumë vëmendje dhe nga të gjithë njerëzit që ndikojnë në uljen e performancës tuaj. Një qëndrim pozitiv elastik dhe optimist nga njerëzit që ju rrethojnë është thelbësor. Mos blini ujë në shishe të vogla, kufizoni pijet që përmbajnë sheqer dhe ushqimet e tjera me bazë sheqerin, të cilat mund t’ju shëndoshin. Kufizoni mishin e kuq nëse është e mundur dhe në vend të tij konsumoni perime dhe bishtaja.
Asnjëherë mos blini ushqime kur jeni të uritur. Blini me shumicë. Mësoni të gatuani për veten (mos hani shpesh jashtë).
Nëse mundeni përdorni transportin publik ose një biçikletë.
Duke pasur parasysh rrethanat, merrni në konsideratë heqjen dorë nga makina juaj. Në rastet kur do t’ju nevojitet patjetër/ apo doni të bëni një udhëtim, mund të merrni lehtësisht me qera një makinë me çmim të arsyeshëm. Kështu mund të shpëtoni nga telashet që të sjell pronësia e një makine.
Mos blini çdo vit smartphone të ri.
Paguani gjithmonë shpenzimet e kartës së kreditit në fund të muajit. Shmangni gjërat e tepërta. Nëse doni të blini diçka, të cilën buxheti juaj nuk e përballon, mësohuni me këtë fakt. Ne nuk kemi nevojë për thuajse 90% të gjërave që janë në shitje.
Paguani sigurimet shëndetësore, të cilat mbulojnë më shumë sesa mesataren e shërbimeve. Një sigurim i mirë shëndetësor do t’ju mbrojë juve dhe llogarinë tuaj bankare nga falimentimi në rast emergjencash shëndetësore (të cilat ndodhin shpesh, edhe tek moshat e reja). Ushtrohuni (ngrini pesha ose bëni gjëra që largojnë stresin) rregullisht: të paktën dy herë në javë.
Jini kurioz për botën jashtë. Përpiquni të lexoni libra (kryesisht jo trillime), veçanërisht mbi sektorët që nuk i përfshin fusha juaj e studimeve. Zhvillimi vjen duke lidhur bashkë njohuritë nga fusha të ndryshme të dijes.
Së dyti: Rrisni të ardhurat tuaja në mënyrë drastike
Studioni Game Theory para se të kërkoni për punë. Pasi të keni lexuar këtë teori, rekomandohet studimi i The Joy of Game Theory. Do të kuptoni sesi në një treg ku konfliktet e interesit janë të natyrshme, game theory dhe lëvizjet strategjike do t’ju ndihmojnë të mendoni në mënyrë racionale dhe të arrini rezultate optimale me sa më pak përpjekje. Ky do jetë një avantazh për ju.
Studioni dhe kuptoni segmentet e biznesit, ku në bazë të aftësive tuaja mund të merrni një pagesë më të mirë, e cila nuk do t’ju bëjë të përfundoni në spital psikiatrik. Përvetësoni aftësi të reja dhe të dobishme (nuk keni nevojë të keni një diplomë për shumicën e aftësive që kërkohen sot në treg, të cilat paguhen mirë). Largohuni jashtë vendit nëse është e nevojshme ose nëse vendi juaj privon konkurrencën dhe zhvillimin. Mos kini frikë. Merrni përsipër rrezikun të bëni punë, të cilat moshatarët tuaj nuk janë të gatshëm t’i bëjnë.
Mësoni sesi të zgjidhni probleme në punë. Ndërkohë që të gjithë në punë do të thonë “mjaft” (duke kufizuar veten dhe duke u ankuar për gjërat që nuk funksionojnë), ju do bëheni shpejt i rëndësishëm duke qenë një nga të paktët që zgjidh probleme. Kjo funksionon edhe nëse je i shëndoshë, i shëmtuar, pa eksperiencë, i vjetër, i ri apo çfarëdo qoftë. Zgjidhësit e problemeve janë të artë në çdo biznes dhe shpërblehen në përputhje me rrethanat.
Sapo të bëheni një nga punonjësit e paktë “të rëndësishëm” për kompaninë, ju do të aplikoni Game Theory për të detyruar punëdhënësin tuaj t’ju japë një pagë më të mirë, bonuse më të mira, ekspozim më të mirë me klientët, etj. Bëjeni këtë në mënyrë të sjellshme, por efektive. Me një buzëqeshje, ju do të jeni të aftë të vendoseni përballë punëdhënësit tuaj, në të ashtuquajturën “lojë dominuese”, ku mundësia e tij e vetme është t’ju rrisë rrogën, etj. Nëse zgjidhni probleme në punë, por ende nuk i keni ngjitur shkallët e karrierës, do të thotë se mundësitë në punën tuaj aktuale janë të kufizuara. Është diçka normale. Mos e humbisni motivimin siç bëjnë shumica e njerëzve, thjesht gjeni një punë më të mirë.
Sapo pagesa juaj të fillojë të rritet, krijoni menjëherë një fond emergjencash me pagën e 6 muajve (ose 3 muajve, nëse jeni i mirë në shmangien e emergjencave). Këto para duhet të rrinë mënjanë dhe të përdoren vetëm për urgjenca: jo për të blerë një BMW. Mos filloni të ndryshoni stilin tuaj të jetësës dhe vazhdoni të keni kujdes në mënyrën sesi i shpenzoni paratë tuaja.
Hapni një llogari në bankë dhe depozitoni çdo muaj 20%/30%/40%/50% të të ardhurave tuaja. Mos e prekni llogarinë deri në dekadën e ardhshme. Kurseni dhe investoni çdo muaj “pa marrë parasysh çfarë ndodh”.
Vendosni (mendërisht dhe praktikisht) një sasi minimale parash që duhet të investoni çdo muaj dhe t’i depozitoni në fillim të çdo muaji. Kështu nuk do t’i shpenzoni paratë duke blerë gjëra të panevojshme. Kjo do t’ju ndihmojë të flini rehat dhe të sistemoni të ardhurat tuaja, përsa kohë jeni i duruar dhe nuk e prekni depozitën tuaj për një dekadë. Për sa kohë që karriera juaj do zhvillohet dhe do filloni të fitoni më shumë, kjo strategji do t’ju kufizojë nga kurthi i “rritjes së nivelit të jetesës” (ku ju shpenzoni më shumë para për të blerë gjëra të panevojshme, vetëm për të treguar statusin tuaj ose sepse filloni të bëheni dembelë).
Sapo të keni kursyer 200/300 mijë dollarë, mund të filloni të mendoni rreth hapjes së një biznesi ku të investoni të ardhurat tuaja.
Punoni natën, në fundjavë dhe gjatë pushimeve për të filluar biznesin tuaj.
Fokusohuni në gjetjen e 3 klientëve të parë të biznesit tuaj (mos i llogarisni miqtë dhe familjarët). Sapo të keni gjetur 3 klientë (arritje e mrekullueshme!), fokusohuni në gjetjen e 30 klientëve. Nëse gjatë tre muajve, nuk keni arritur të fitoni 1000 dollarë, fokusohuni në gjetjen e një mënyre më të mirë për të gjeneruar para. Mësoni nga gabimet (do bëni shumë). Shfrytëzoni edhe mundësitë e vogla, të cilat të tjerët nuk i shikojnë. Studioni tregun, edhe atë të lënë pas dore, zakonisht këta lloj tregjesh janë miniera ari për ata që dinë t’i shfrytëzojnë.
Sapo të filloni të keni 10000 dollarë të ardhura në muaj, mund të filloni të bëni llogaritë lidhur me punën tuaj, nëse ia vlen të vazhdoni apo jo. Nëse jo, kaloni nga punëmarrës në i vetë-punësuar dhe fokusohuni të arrini të ardhura deri në 30000 dollarë në muaj.
Do bëheni milioner më shpejt sesa e kishit menduar. Milioni i parë është më i vështiri për t’u arritur.