25 vjeçari shantazhoi të miturën 14 vjeçare në Gjilan, kërkohet paraburgim

Prishtinë | 25 Jan 2019 | 13:50 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti i Përgjithshëm, mbrëmë rreth orës 21:00, ka ndaluar të dyshuarin B.J., në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Shantazhi’’ nga neni 341 paragrafi 1 lidhur me nenin 74 paragrafi 2.6 dhe nenin 120 paragrafi 37 lidhur me paragrafin 20 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ekziston dyshimi i bazuar mirë se, më 23.01.2019, rreth orës 20:00, në Gjilan, i pandehuri B.J. (1993), përmes rrjetit social Facebook, ka shantazhuar të miturën e moshës 14 vjeçare, në atë mënyrë që nga ajo ka kërkuar që të kenë marrëdhënie intime, ose në të kundërtën do t’ia publikonte fotot e saj intime, të cilat e njëjta i kishte bërë me ish të dashurin e saj, me ç’rast me këto veprime i njëjti ka cenuar nderin dhe autoritetin e të dëmtuarës.

Prokuroria, ndaj të dyshuarit, ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve dhe ka paraqitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Gjilan, pasi që ekziston mundësia e ndikimit te e dëmtuara dhe dëshmitarët, si dhe rreziku i përsëritjes së veprës penale.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme