25 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi, Osmani: Serbia vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës

Prishtinë | 08 Kor 2024 | 15:13 | Nga Ekonomia Online

Sot janë bërë 25 vjet nga vrasja e vëllezërve Ylli, Agron e Mehmet Bytyqi. Ata ishin arrestuar nga shteti serb në fund të qershorit të vitit 1999, pasi kishin kaluar gabimisht kufirin teksa po përcillnin një familje rome nga Prizreni drejt Serbisë.

Gjatë paraburgimit ata u zhdukën e më pas trupat e tyre u gjetën më vonë në një bazë në Petrovo Selo në Serbinë Lindore.

Me rastin e këtij përvjetori ka shkruar edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo e ka akuzuar Serbinë, duke thënë se po vazhdon t’i lavdërojë kriminelët e luftës.

“Familja e Yllit, Agronit, dhe Mehmet Bytyqit, qytetarë amerikanë të vrarë brutalisht 25 vjet më parë, ende kërkojnë drejtësi. Edhe sot e kësaj dite, regjimi i Serbisë vazhdon të lavdërojë kriminelët e luftës, në vend që t’i mbajë ata përgjegjës. Nuk do të pushojmë derisa keqbërësit të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Osmani në rrjetin social X.

Vëllezërit Bytyqi kanë qenë shtetas të Shtetëve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

SHBA-ja ka akuzuar në vazhdimësi Serbinë se ata ishin ekzekutuar, qëlluar në kokë me duart e lidhura pas shpine.

Vëllezërit Bytyqi kishin lënë SHBA-në ku jetonin për të luftuar përkrah ushtarëve të tjerë të UÇK-së. Pas luftës ata u arrestuan në kufirin Kosovë – Serbi dhe pas disa ditësh zyrtarisht u liruan, por nga ai moment u zhdukën. 8 korriku 1999 kujtohet si dita e vrasjes së tyre.

Të ngjashme