25,636 raste pozitive vetëm nga tetori, më shumë se për shtatë muaj të pandemisë

Prishtinë | 03 Dhj 2020 | 21:26 | Nga Ekonomia Online

Kosova ka shënuar numrin më të lartë të vdekjeve këtë të enjte që kur ka nisur pandemia më 13 mars. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, 22 persona kanë vdekur nga COVID-19 nga dita e djeshme.

Pos kësaj, sipas shifrave, 25 mijë e 636 raste pozitive janë shënuar në Kosovë vetëm gjatë 2 muajve të fundit krahasuar me rreth 16 mijë sa janë shënuar në gjithë periudhën për mbi 7 muajt e parë të pandemisë. Në periudhën 13 mars – 1 tetor janë shënuar 15,663 raste pozitive dhe 627 raste të vdekjeve kurse vetëm nga 1 tetori deri sot janë 25,636 raste pozitive dhe 435 raste të vdekjeve.

Instituti i Shëndetit Publik ka bërë thirrje pasdite për kujdes dhe ka alarmuar për shifrat e larta. “Pakujdesi na dërgon shumë shpejt në mbingarkesën e Institucioneve shëndetësore dhe shtimin e rasteve fatale. Ju lutemi të keni kujdes në mbajtjen e maskave, mbani distancë dhe higjienën personale”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Gjithsej nga 13 mars e deri më 3 dhjetor në Kosovë kanë vdekur 1062 persona e janë infektuar 41,299. Numri total i të shëruarve është 26,453.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme