Komuna e Vushtrrisë, ka mbajtur Akademi përkujtimore me rastin e 26-vjetorit të vrasjes nga forcat serbe të intelektualit, prof. Latif Berisha, raporton Ekonomia Online.
Me këtë rast, familjes iu nda çmimi “Nderi i Qytetit” (post-mortem) nga Kuvendi i Komunës së Vushtrrisë, me propozim të kryetarit të Komunës, Ferit Idrizi, në nderim të jetës dhe veprës së intelektualit, poetit, profesorit dhe atdhetarit të përmasave kombëtare, Latif Berisha.
Për jetën dhe veprën e profesor Berishës, foli i pari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Idrizi tha se 26-vjetori i vrasjes së profesor Latif Berishës koincidon me fillimin e sulmeve të NATO-s mbi forcat serbe.
“Në vitet e ‘90-ta, në kohë të errëta për kombin tonë, ai u bë prijatar i Lëvizjes Demokratike, duke mbrojtur qenien kombëtare shqiptare me dije, me fjalë dhe me veprim. Pranë profesor Anton Çetës e kryetarit Dr. Ibrahim Rugova, ai u bë zëri i të shtypurve dhe shpresa e një Kosove të lire. Me vendosmërinë e tij, udhëhoqi Lidhjen Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, duke qëndruar i palëkundur deri në momentet e fundit, kur forcat serbe ia morën jetën, por jo idealin dhe veprën e tij të pavdekshme”.
“Le të jetë kjo akademi jo vetëm një moment kujtese, por edhe një zotim se veprat e personaliteteve si profesor Latif Berisha do të vazhdojnë të frymëzojnë angazhimin tonë për një Kosovë demokratike, të zhvilluar dhe të denjë për sakrificat e së kaluarës”, tha kryetari i Vushtrrisë Ferit Idrizi.