Komuna e Gjilanit është përfituese e tri programeve të rëndësishme zhvillimore, ku do të angazhohen një numër i konsiderueshëm i të rinjve, ka thënë të martën në një konferencë me gazetarë, Valbona Tahiri, drejtoreshë për Zhvillim Ekonomik.
Në kuadër të programit të parë, “Fuqizimi i sektorit privat” të financuara nga USAID dhe SIDA, Komuna e Gjilanit ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me tri organizata implementuese të projekteve, si organizata gjermane “Help”, Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) dhe Klubin e prodhuesve të Kosovës, ku do të përfitojnë 270 të rinj.
Në programin për vetëpunësim të organizatës gjermane “Help” do të përfitojnë 50 të rinj, të cilët, pasi t`i kenë ndjekur trajnimet për menaxhim biznesi, do të mund të aplikojnë për grante në formë të pajisjeve, në shumën maksimale prej 3,650 euro, ka thënë drejtoresha Tahiri.
Përmes këtij programi, synohet krijimi i bizneseve të reja, ka thënë ajo.
Në programin e dytë, që ka të bëjë me ngritjen e shkathtësive përmes trajnimit në punë dhe implementohet në bashkëpunim me Klubin e prodhuesve të Kosovës (KPK), do të përfitojnë 160 të rinj nga komuna e Gjilanit, të cilët do të bëjnë punë praktike me pagesë, në kohëzgjatje prej 3 muajve, në tri biznese vendore.
Ndërkaq në kuadër të projektit të tretë, që realizohet në bashkëpunim me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), do të përfshihen rreth 60 të rinj, ka thënë Tahiri.
Përndryshe, drejtoresha Tahiri, duke i nënvizuar të arriturat e tremujorit të fundit, ka thënë se është duke vazhduar bashkëpunimi me BERZH-in sa i përket projektit për ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave të zeza, ndërkohë që janë përmbyllur të gjitha procedurat për fillimin e projektit tjetër kapital që ka të bëjë me modernizimin e tregut të gjelbër.
Njëherësh, janë duke vazhduar punimet në lumin Mirusha, faza e dytë, pas nënshkrimit të marrëveshjes me MMPH për financimin e këtij projekti, në shumë prej 400 mijë euro, për vitin 2018.
Po ashtu, ka vazhduar realizimi i tri projekteve tjera, të financuara nga Zyra e BE në Kosovë, përmes fondeve IPA që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkufitar Kosovë-Maqedoni.
Përndryshe, Drejtoria për Zhvillim Ekonomik, në bashkëpunim me Ambasadën e Shqipërisë në Kosovë dhe Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, gjatë muajit shtator ka organizuar panairin “Gjilani 2018”, ku kanë marrë pjesë rreth 120 biznese nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Turqia, ka thënë Tahiri.
Panairi kishte për qëllim promovimin e produkteve të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe avancimin e iniciativave për komunikim e rrjetëzim dhe ishte një mundësi për bizneset pjesëmarrëse që jo vetëm të ekspozojnë, por edhe të shesin produktet e tyre.
Si fakt tjetër të rëndësishëm të kësaj periudhe, drejtoresha Tahiri ka përmendur regjistrimin e 129 biznese të reja, ku janë punësuar 193 persona, 96 prej tyre meshkuj dhe 97 femra.