Gjilani dhe UNICEF-i nënshkruajnë marrëveshje mirëkuptimi për realizimin e të drejtave të fëmijëve

Prishtinë | 17 Dhj 2019 | 14:57 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka nënshkruar sot marrëveshje mirëkuptimi me drejtorin e UNICEF për Kosovë, Murat Sahin, për realizimin e të drejtave të fëmijëve.

Kryetari Lutfi Haziri, pasi e falënderoi UNICEF për bashkëpunimin, tha se Gjilani tashmë edhe qytet mik i fëmijëve.

“Gjilani tashmë është mik i fëmijëve në kuadër të programit që UNICEF e ka përzgjedhur për tri komuna të Kosovës. Po ashtu, kam përfaqësuar qytetarët e Gjilanit në Konferencën e Athinës, që në nivel regjional e ka organizuar UNICEF, si formë e re e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve”, tha Haziri.

“Të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta i kemi integruar në sistemin edukativ. Kemi gjetur dhe organizuar mbështetje në sistemin e arsimit, me mësues të veçantë. Po ashtu, po i mbështesim edhe organizatat që merren me të drejtat e fëmijëve dhe me organizimin e mësimit plotësues. Ndërsa, është shumë e rëndësishme që po e ndërtojmë lagjen e fëmijëve për qëndrim ditor aty, për të gjithë fëmijët që kanë nevojë”, shtoi Haziri.

Drejtori i UNICEF për Kosovë, , Murat Sahin, tha se po e fillojnë një bashkëpunim me Gjilanin me pretendimet që do të zgjasë për pesë vitet e ardhshme, për të shtyrë përpara agjendën e të drejtave të fëmijëve.

“Ky do të jetë një shembull i bashkëpunimit, jo vetëm për Kosovë, por edhe më gjerë, në regjion. Ne duam që në komunën e Gjilanit çdo fëmijë të ketë një fillim të mirë në jetë, që nga shtatzania e deri në ciklin parashkollor. Po ashtu, të gjithë fëmijët me nevoja të veçanta që të kenë mundësinë e arsimit të mirëfilltë, sikurse edhe të gjithë të rinjtë e Gjilanit që të pajisen me shkathtësi, në mënyrë që të jenë qyetarë aktiv dhe produktiv të shoqërisë”, ka thënë Sahin, për të shtuar se Gjilani është shembulli më i mirë.

“Kam dëshirë që edhe kryetarët tjerë të komunave të vijnë dhe të mësojnë prej shembullit të Gjilanit se si të bëhet një komunë mike për fëmijë. Faleminderit kryetarit Haziri që i është bashkangjitur kësaj iniciative”, ka shtuar Sahin.

Më pas, kryetari Haziri dhe drejtori i UNICEF për Kosovë, kanë inauguruar në Shtëpinë e Rinisë qendrën innovative “Inovatiation Hub”, që u vlerësua si derë e të rinjve për t’i shprehur të gjitha idetë e tyre, në mënyrë që të bëhen realitet, në të mirë të komunitetit.

Kreu i Gjilanit, në këtë ngjarje, ka bërë të ditur lajmin do të financojë edhe katër projekte të tjera për të rinjtë në janar të vitit të ardhshëm, të cilat i janë nënshtruar konkurrencës.

Kurse, drejtori i UNICEF për Kosovë, Murat Sahin, tha se është e mrekullueshme që të rinjtë ta kenë një objekt si Shtëpia e Rinisë, që t’i realizojnë ëndrrat e tyre.


Të ngjashme