Osmani: Anëtarësimi në Bordin e Paqes, një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme të Kosovës

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 14:36 | Nga Ekonomia Online

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e ka cilësuar anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes si një nga sukseset më të mëdha të politikës së jashtme në dekadën e fundit, duke thënë se kjo i ka hapur vendit një platformë të re për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar dhe avancimin e njohjeve.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Osmani ka thënë se për herë të parë pas një dekade, Shtetet e Bashkuara të Amerikës ia kanë hapur dyert Kosovës për pjesëmarrje në një organizatë ndërkombëtare, ndërsa Serbisë ia kanë mbyllur.

“Ju e dini që viteve të fundit, do të thosha këtë 10-vjeçarin e fundit, Kosova ka pasur pengesa të shumta për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Dhe kryesisht anëtarësimi në këto organizata bllokohej me arsyetimin se dialogu Kosovë-Serbi nuk po ecën si duhet. Në Bordin e Paqes për herë të parë pas një dekade Shtetet e Bashkuara të Amerikës ja kanë hapur dyert Kosovës, por ja kanë mbyllur Serbisë. Kjo është e para”, tha ajo.

Sipas Osmanit, ftesa e presidentit amerikan Donald Trump që Kosova të jetë shtet themelues i Bordit të Paqes përbën një vlerësim të rëndësisë dhe ndikimit të vendit në raport me SHBA-në.

“E dyta, në Bordin e Paqes Shtetet e Bashkuara të Amerikës, presidenti Trump konkretisht na ka ftuar neve që të jemi shtet themelues i një organizate ndërkombëtare, që nënkupton që konsiderohesh një prej shteteve më me ndikim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe e treta, kjo neve na jep mundësi jo vetëm që të kontribuojmë për paqe e stabilitet në rajone të tjera nëpër botë, siç po e bëjmë nëpërmjet FSK-së, por në të njëjtën kohë që të komunikojmë me shtete që nuk na kanë njohur akoma, të barabartë me ato shtete të fuqishme qoftë financiarisht, qoftë në aspektin ekonomik e aspekte të tjera politike e ushtarake, dhe na hap të dyert që ne të kemi komunikim me ta për t’i bindur që këtë vendim pra për njohje ta marrin sa më shpejt që të jetë e mundur”, tha ajo.

Ajo ka thënë se kjo platformë mundëson që Kosova të shihet si e barabartë me shtetet e tjera dhe të krijojë mundësi të reja për komunikim me vendet që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

“Dhe e fundit, në perceptimin e këtyre shteteve ne pastaj dukeshim si komb i barabartë me të tjerët dhe nuk shihnin pastaj arsye që ta vonojnë njohjen edhe më tutje. Pra na është dhënë një platformë të cilën nuk e kemi pasur më herët. Dhe ju e keni parë edhe publikisht se si i kanë dhënë rëndësi presidenti Trump dhe sekretari Rubio kontributit të Kosovës në Bordin e Paqes. Ky nuk ka qenë kontribut financiar, ta sqaroj kurrë asnjëherë, asnjë cent nuk është kërkuar nga Kosova, por është kërkuar që Kosova të kontribuojë me përvojën e vet meqenëse është shtet që ka kaluar në proces të ndërtimit të paqes, ndërtimit të shtetit dhe është proces i suksesshëm, pra që ta ndajë këtë sukses dhe përvojën e saj edhe me të tjerët”, tha ajo për Ekonomia Online.

Osmani u ka bërë thirrje edhe institucioneve të tjera të Kosovës që të bashkëpunojnë me Bordin e Paqes dhe administratën amerikane, në mënyrë që të shfrytëzojnë mundësitë që ofron kjo platformë.

“Është një prej sukseseve më të mëdha të politikës së jashtme të Republikës së Kosovës në këtë 10-vjeçarin e fundit edhe tani institucionet e tjera të bashkëpunojnë me Bordin e Paqes dhe me administratën Trump, që ta shfrytëzojnë këtë platformë, ta shfrytëzojnë këtë mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën, e cila na ndihmon që ta fuqizojmë subjektivitetin tonë ndërkombëtar”, tha ajo.

Ndwrsa, duke folur për raportet me administratën Trump, ish-presidentja ka thënë se në takimet me përfaqësuesit amerikanë nuk i është kërkuar Kosovës asnjë koncesion, përfshirë në dialogun me Serbinë.

“Absolutisht e tillë ka qenë, ju i dini edhe deklaratat e presidentit Trump, edhe deklaratat e sekretarit Rubio i cili më ftoi në takim bilateral menjëherë pas takimit të mbajtur në Washington për Bordin e Paqes dhe në atë takim bilateral që ka qenë një takim i jashtëzakonshëm ne kemi diskutuar për shumë tema përfshirë mbrojtjen e kufijve të Kosovës, avancimin e njohjeve, avancimin e raporteve ekonomike Kosovë-SHBA, avancimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare dhe shumë tema të tjera, pa na kërkuar asnjë koncesion. Qoftë në dialogun Kosovë-Serbi, qoftë në aspekte të tjera, thjesht duke vlerësuar kontributin tonë në Bordin e Paqes dhe mendoj që ky aspekt duhet të vazhdohet, pra që të ketë afrim edhe të mëtejmë me administratën Trump”, tha ajo.

Të ngjashme