Lushaku-Sadriu kërkon llogari nga BE-ja: Kosova u përjashtua nga Forumi i Zgjerimit

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 12:44 | Nga Drita Dërmaku

Shefja e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu, pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ka bërë të ditur se është miratuar agjenda për seancën e së enjtes, ndërsa pyetjet parlamentare të parashtruara nga deputetët pritet të trajtohen në një seancë të veçantë, e cila potencialisht mund të mbahet të premten, raporton Ekonomia Online.

Ajo ka njoftuar se në mbledhjen e Kryesisë është marrë vendim që pyetjet parlamentare, të cilat janë mbledhur nga një numër i madh deputetësh, të adresohen në një seancë të veçantë.

“Miratuam agjendën për seancën e së enjtes. Njëkohësisht morëm edhe një vendim që pyetjet parlamentare të mbledhura nga shumë deputetë të adresohen në një seancë të veçantë, që potencialisht mund të jetë të premten. Kjo ishte përgjithësisht për Kryesinë”, tha Lushaku-Sadriu.

Ndërkaq, ajo ka bërë të ditur se gjatë ditës është mbajtur edhe një takim në kuadër të Komisionit për Integrime Evropiane, ku është ftuar udhëheqësi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë. Sipas saj, gjatë këtij takimi është kërkuar një sqarim zyrtar me shkrim dhe kërkimfalje nga institucionet e Bashkimit Evropian lidhur me mospjesëmarrjen e Kosovës në Forumin e Zgjerimit.

Lushaku-Sadriu e ka cilësuar këtë situatë si një incident, duke ngritur shqetësime edhe për përfshirjen e një kënge me motive nacionaliste, e cila, sipas saj, është në kundërshtim të plotë me qëndrimet dhe synimet e Bashkimit Evropian.

“Ne kemi ftuar kryesuesin ose udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, nga i cili kemi adresuar një kërkesë të qartë: një sqarim me shkrim dhe kërkimfalje nga institucionet e Bashkimit Evropian për mospjesëmarrjen e Kosovës, institucioneve të Kosovës, në Forumin e Zgjerimit. Një incident në fakt, edhe për mospjesëmarrje, edhe sa i përket këngës me motive nacionaliste, e që është komplet në kundërshtim me qëndrimet dhe synimin e Bashkimit Evropian”, shtoi.

Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së ka theksuar se kërkesa e tyre është që sqarimi të vijë nga nivelet më të larta politike të Bashkimit Evropian.

Ajo ka bërë të ditur se i ka adresuar tri kërkesa komisioneres evropiane për Zgjerim, Marta Kos, duke kërkuar shpjegime për mënyrën e përzgjedhjes së këngës, përjashtimin e Kosovës nga Forumi i Zgjerimit, si dhe kriteret e përzgjedhjes së shteteve pjesëmarrëse.

“I kam adresuar tri kërkesa ndaj komisioneres Marta Kos për sqarim, edhe për mënyrën se si është selektuar ajo këngë, por edhe për mospjesëmarrjen e Kosovës, si dhe përzgjedhjen e shteteve në Forumin e Zgjerimit. Kërkojmë që të kemi një sqarim me shkrim nga nivelet më të larta politike”, ka deklaruar Lushaku-Sadriu.

Të ngjashme