Ymeri: Kriza energjetike në Kosovë nuk po menaxhohet, por po heshtet

Prishtinë | 23 Nën 2026 | 12:28 | Nga Ekonomia Online

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Janina Ymeri, ka kritikuar ashpër menaxhimin e krizës energjetike në Kosovë, duke thënë se qytetarët dhe bizneset po përballen me mungesë të energjisë elektrike dhe furnizim të dobët.

Ymeri përmes një psotimi në profilin e saj në rrjetin social ka theksuar se ndërprerjet e energjisë nuk po ndodhin vetëm në zonat rurale, por edhe në zonat industriale, duke pamundësuar funksionimin normal të fabrikave dhe bizneseve.

Ajo ka kritikuar edhe përdorimin e tensionit të ulët si metodë për zvogëlimin e ngarkesës, duke vlerësuar se kjo praktikë shkakton humbje për bizneset, pasi energjia konsumohet dhe paguhet, ndërsa puna nuk mund të kryhet.

Sipas Ymerit, furnizimi me energji elektrike po bëhet përmes një qasjeje të vjetruar, ndërsa masat e ndërmarra deri më tani nuk kanë dhënë efektet e pritshme.

Ajo ka renditur tri mënyrat se si, sipas saj, po menaxhohet furnizimi me energji në vend:

Ndërprerje të gjata të energjisë elektrike në zonat rurale.

Ulje të tensionit në zonat industriale.

Ndërprerje më të shkurtra të energjisë në qytete.

Deputetja e LDK-së ka akuzuar institucionet se po japin arsyetime të ndryshme për ndërprerjet, duke përmendur punimet dhe problemet në nënstacione, ndërkohë që masat e miratuara i ka cilësuar si kozmetike.

“Kriza energjetike nuk po menaxhohet, por po shuhet, heshtet”, ka deklaruar Ymeri.

Në reagimin e saj, ajo ka ngritur edhe dyshime lidhur me kompanitë e përfshira në bartjen dhe tregtimin e energjisë elektrike, duke përmendur kompani me pronësi të njëjtë si vitin e kaluar, kompani greke dhe tregtarë nga Shqipëria që, sipas saj, nuk prodhojnë energji elektrike.

Ymeri ka rikujtuar gjithashtu se ia kishte ngritur këto shqetësime edhe kryeministrit Albin Kurti, duke theksuar se përgjegjësia për përmirësimin e situatës nuk mund të mbetet vetëm te qytetarët dhe durimi i tyre.

Të ngjashme