“Biznesi nuk udhëhiqet nga patriotizmi ekonomik”, Muhaxheri: Shqipëria po shihet si rrezik më i vogël për investime se Kosova

Prishtinë | 22 Nën 2026 | 17:47 | Nga Ekonomia Online

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arton Muhaxheri, përmes një postimi në Facebook, ka vlerësuar se bizneset kosovare që po investojnë në Shqipëri nuk po orientohen drejt këtij tregu vetëm për shkak të mundësive ekonomike, por edhe për shkak të vështirësive me të cilat përballen në Kosovë.


Muhaxheri ka kritikuar qasjen e institucioneve ndaj bizneseve, duke thënë se ato shpesh përballen me kontrolle, inspektime, gjoba dhe masa ndëshkuese, ndërsa mungojnë lehtësirat tatimore, subvencionet dhe politikat që nxisin investimet.

“Institucionet nuk duhet ta shohin biznesin vetëm si burim të të hyrave buxhetore, por si partner në zhvillimin ekonomik të vendit. Bizneset në Kosovë shpesh përballen me kontrolle, inspektime, gjoba dhe masa ndëshkuese, ndërsa institucionet nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme përmes lehtësirave tatimore, subvencioneve dhe politikave që nxisin investimet”

Muhaxheri thotë se investitorët kosovarë po bëjnë një zgjedhje mes dy alternativave që nuk ofrojnë siguri të plotë.

“Investitorët kosovarë që vendosin të investojnë në Shqipëri, pavarësisht protestave dhe tensioneve politike që po zhvillohen atje duket se po zgjedhin mes dy alternativave jo të favorshme dhe po e konsiderojnë Shqipërinë si rrezikun më të vogël në këtë momentë”, ka shkruar Muhaxheri.

Ai paralajmëron se përshkallëzimi i protestave në Shqipëri dhe krijimi i një paqëndrueshmërie afatgjatë institucionale mund të ndikojnë në planet e investitorëve.

“Nëse protestat në Shqipëri përshkallëzohen dhe prodhojnë paqëndrueshmëri afatgjatë institucionale, atëherë edhe investimet e planifikuara mund të shtyhen ose të orientohen drejt tregjeve të tjera”, thotë ai.

Muhaxheri shprehet se Kosova duhet të krijojë kushte konkrete për mbajtjen dhe tërheqjen e investimeve.

“Biznesi nuk udhëhiqet nga patriotizmi ekonomik, por nga logjika e investimit dhe e kthimit të kapitalit”, ka thënë Muhaxheri.

Postimi i plotë:

“Bizneset kosovare që po investojnë në Shqipëri nuk po orientohen domosdoshmërisht drejt këtij tregu për shkak të mundësive më të mira ekonomike, por edhe për shkak të vështirësive me të cilat po përballen në Kosovë.

Institucionet nuk duhet ta shohin biznesin vetëm si burim të të hyrave buxhetore, por si partner në zhvillimin ekonomik të vendit. Bizneset në Kosovë shpesh përballen me kontrolle, inspektime, gjoba dhe masa ndëshkuese, ndërsa institucionet nuk ofrojnë mbështetje të mjaftueshme përmes lehtësirave tatimore, subvencioneve dhe politikave që nxisin investimet.

Investitorët kosovarë që vendosin të investojnë në Shqipëri, pavarësisht protestave dhe tensioneve politike që po zhvillohen atje duket se po zgjedhin mes dy alternativave jo të favorshme dhe po e konsiderojnë Shqipërinë si rrezikun më të vogël në këtë moment.

Nëse protestat në Shqipëri përshkallëzohen dhe prodhojnë paqëndrueshmëri afatgjatë institucionale, atëherë edhe investimet e planifikuara mund të shtyhen ose të orientohen drejt tregjeve të tjera.

Biznesi nuk udhëhiqet nga patriotizmi ekonomik, por nga logjika e investimit dhe e kthimit të kapitalit”

Të ngjashme