Mbështetja e fortë e të krishterëve të bardhë ungjillorë për republikanët po shndërrohet në një sfidë për partinë, ndërsa ajo përgatitet për zgjedhjet e vitit 2028.
Ndonëse më shumë se 80 për qind e këtij grupi votuan për republikanët në zgjedhjet e fundit, demokratët shënuan rezultate të rëndësishme te votuesit që nuk identifikohen si ungjillorë, madje edhe në shtetet tradicionalisht republikane.
Republikanët po bëhen gjithnjë e më të varur nga votat e të krishterëve ungjillorë, ndonëse pesha e këtij grupi në shoqërinë amerikane është në rënie.
Kjo mund ta vendosë partinë përballë dilemës mes ruajtjes së bazës së saj konservatore dhe rikthimit të votuesve të moderuar, të cilët janë larguar për shkak të pakënaqësisë me ekonominë, luftën me Iranin dhe mënyrën e qeverisjes së presidentit Donald Trump.
Analistët vlerësojnë se mesazhet kulturore dhe fetare që kanë siguruar mbështetjen e ungjillorëve nuk kanë arritur të bindin pjesën tjetër të elektoratit, sipas statistikave të nxjerra nga CNN.
Për këtë arsye, në zgjedhjet e vitit 2028, republikanët mund të përballen me konkurrencë më të madhe edhe në shtete që tradicionalisht konsiderohen bastione të tyre, si Teksasi, Ohio, Iowa dhe Kansas.
Sipas ekspertëve, sfida kryesore e republikanëve do të jetë ruajtja e mbështetjes së votuesve ungjillorë, duke hartuar njëkohësisht një program ekonomik që u përgjigjet shqetësimeve të familjeve amerikane.
Zgjedhjet e fundit kanë treguar se mbështetja e një grupi të vetëm votuesish mund të mos mjaftojë për të siguruar shumicën në nivel kombëtar.