Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë buxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh.
Buxhet ky cili sipas qeverisë synon rritjen e mirëqenies së qytetarëve, forcimin e shërbimeve publike dhe zhvillimin ekonomik të vendit, duke ruajtur stabilitetin fiskal.
Por deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka kritikuar qeverisjen aktuale, duke krahasuar investimet e bëra gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit me ato të qeverisë së Albin Kurtit.
Ajo tha se, ndonëse sot buxheti është shumë më i madh, investimet konkrete mungojnë.
“Problem nuk është vetëm sa para ka buxheti. Atëherë ka pasur më pak, por ka pasur më shumë investime. Sot ke shumë më shumë, ke zero investime”, deklaroi Musliu-Shoshi.
Deputetja theksoi se qytetarët nuk jetojnë nga shifrat dhe premtimet, por nga rezultatet konkrete të qeverisjes.
“Duhet të dëshmohet jo vetëm me numra, por me projekte konkrete të realizuara. Qytetarët nuk jetojnë nga shifrat e premtimeve, por nga rezultatet konkrete të qeverisjes. Personalisht, do të doja të shihja një shtet të zhvilluar, ku t’i rris fëmijët dhe të plakem vetë, por kjo nuk po ndodh”, u shpreh ajo.
Në fjalimin e saj, Musliu-Shoshi prezantoi edhe disa prej projekteve dhe arritjeve që, sipas saj, u realizuan gjatë qeverisjes së Hashim Thaçit, e cila zgjati gjashtë vjet e 11 muaj.
Ajo përmendi ndërtimin e autostradave dhe rrugëve lokale e rajonale, ndërtimin dhe renovimin e dhjetëra shkollave, rritjen e pagave dhe pensioneve, si dhe investimet në shëndetësi dhe infrastrukturë arsimore.
Ndër arritjet e përmendura nga ajo ishin edhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, hyrja në fuqi e Kushtetutës, themelimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës, sigurimi i 108 njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimi në FMN dhe Bankën Botërore, si dhe opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për deklaratën e pavarësisë.
Musliu-Shoshi përmendi edhe pritjen në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, si një prej momenteve të rëndësishme të përfaqësimit ndërkombëtar të Kosovës.