Ikona e muzikës shqiptare, Shkurte Fejza, feston sot 65-vjetorin e lindjes, duke mbërritur në moshën e pensionit, por pa u ndalur asnjë sekondë nga skena dhe pasioni i saj më i madh – kënga.
Në këtë ditë të veçantë, urimi më i bukur dhe më emocional ka ardhur nga njeriu i saj i jetës, bashkëshorti i saj Hajrushi, i cili ka përzgjedhur fjalët më1 romantike për t’i shprehur dashurinë dhe mirënjohjen pas dekadave të kaluara bashkë.
“Sot është dita jote, Shkurta ime! Nuk e di nëse fjalët mund ta shprehin plotësisht atë që ndiej për ty, por dua të të them se jam njeriu më mirënjohës që jeta më dha fatin të të kem pranë,” ka shkruar Hajrushi në dedikimin e tij prekës.
Ai ka evokuar rrugëtimin e gjatë jetësor dhe artistik të përbashkët, duke e cilësuar atë jo vetëm si bashkëshorte, por edhe si shtyllë të familjes dhe të atdheut.
“Bashkë nisëm një rrugëtim që u bë jetë. U rritëm bashkë, ëndërruam bashkë, i përballuam sfidat bashkë dhe ndërtuam një histori që nuk përbëhet vetëm nga dashuria jonë, por edhe nga familja, kënga, sakrificat dhe përkushtimi ndaj vendit tonë,” vijon urimi i tij.
Hajrushi nuk ka lënë pa përmendur as anën e saj njerëzore, larg dritave të skenës dhe duartrokitjeve të publikut:
“Kam qenë dëshmitar i forcës, talentit, përkushtimit dhe dinjitetit tënd. Kam parë se sa shumë ke dhënë nga vetja për këngën dhe për popullin tënd. Por, përtej artistes që e njeh publiku, unë njoh gruan e jetës sime, bashkëshorten, nënën dhe gjyshen e mrekullueshme.”
Mesazhi është mbyllur me një betim dashurie që ka prekur zemrat e ndjekësve:
“Nëse do të më jepej edhe një jetë për ta jetuar, përsëri do të të zgjidhja ty! Gëzuar ditëlindjen, Shkurta ime! Të paçim edhe shumë vite me shëndet, lumturi e dashuri pranë fëmijëve, nipërve e mbesave dhe të gjithë atyre që të duan. Të dua sot, si dje, dhe përherë.”
Shkurte Fejza, me zërin e saj unik dhe hitet që kanë shënuar historinë e muzikës kombëtare, vazhdon të mbetet një nga emrat më të dashur për publikun shqiptar kudo në botë.
Gëzuar ditëlindjen, Shkurte Fejza!