I pyetur nëse Komuna kishte kërkuar ndonjë takim me Qendrën për Punë Sociale lidhur me rastin, Muhaxheri tha se mbledhjet e bordit të drejtorëve mbahen çdo të hënë dhe se aty trajtohen edhe rastet e dhunës në familje.
“Prandaj, për dhunën në familje, rreth masave të ndërmarra në mbrojtje të viktimës, ne i mbajmë mbledhjet çdo të hënë të bordit të drejtorëve. Edhe në kuadër të kësaj ideje, të këtij mbledhje, kur ndodh ndonjë rast, ato vijnë me u anku. Ne i kemi pasur dy raste që kanë ndodhur shumë më të rënda se ky rasti i cili ka ndodhur, edhe njëra prej tyre është hala rast i rëndë dhe trajtohet ende”, tha Muhaxheri.
Gjatë raportimit, Muhaxheri u pyet nëse kishte pasur një ankesë të bërë nga e ndjera Arlinda Zekaj dhe se më vonë e kishte detyruar atë ta fshinte.
Muhaxheri i mohoi këto pretendime, duke thënë se avokatja e të ndjerës kishte parashtruar tri ankesa në Komunë dhe një në ministri.
“Nuk është ashtu qysh po thu ti. Avokatja e të ndjerës i ka bërë tri ankesa në komunë, edhe një në ministri. Ankesat i janë drejtuar drejtorisë së administratës, shefit të personelit dhe kryetarit të komunës. Ne e kemi trajtuar këtë rast, edhe shefja e QPS-së i është drejtuar ministrisë dhe rasti u mbyll. Jo me ankesë, po avokatin e të ndjerës duhet me e pyet, ajo e ka tërhequr në ministri ankesën, se ka qenë e pabazë, në postë, në donacione, në postë të emailit”, deklaroi ai.
“Në Komision, kryetari i Pejës u pyet edhe për nivelin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës. Ai tha se bashkëpunimi i tij me Policinë ka qenë i mirë, ndërsa theksoi se gjatë 12 viteve në krye të komunës nuk kishte ndërhyrë në përzgjedhjen e drejtorit të Stacionit Policor në Pejë. “Bashkëpunimi im ka qenë i mirë me ta edhe pse kryetarët e komunave të tjera kërkojnë me qenë të involvuar, për 12 vjet nuk kom ndiku se kush ka me qenë drejtor i stacionit të policisë në Pejë”, tha Muhaxheri.
Arlinda Zekaj u vra në mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. I dyshuar për vrasjen e saj është kunati i saj.
