Morina: Nuk kishte psikologe kur u mor deklarata e fëmijës, QPS-ja nuk ka kompetencë ta thërriste

Prishtinë | 18 Nën 2026 | 15:28 | Nga Gzim Mujaj

Morina është intervistuar të mërkurën nga Komisioni Hetimor Parlamentar për hetimin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në fillim të intervistimit, ai kërkoi që mediat të mos jenë të pranishme, me arsyetimin se bëhet fjalë për një të mitur.

“Kërkojmë që mediat mos të jenë prezente për arsye se bëhet fjalë për një 12-vjeçar, me ligj ndalohet dalja në media”, tha ai.

Morina, i cili tha se punon në QPS prej tetë vjetësh e gjysmë, u pyet nga deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, nëse kishte pasur psikologe të pranishme kur fëmijës i ishte marrë deklarata dhe çfarë veprimesh ishin ndërmarrë pas raportimit të dhunës në familje.

“Psikologe jo nuk ka pasur. Ne nuk vendosim se a do të ketë psikolog. Ne nuk i thirrim akterët e tjerë se kush duhet të marrë pjesë në gjykata, a policia apo kudo. Nuk kemi ne kompetencë për të thirrur psikologun. Atë natë kërkesa e saj (Arlindës) ka qenë që djalin me ma sjellë mu”, tha Morina.

Ai tha se në trajtimin e rastit ishte synuar që të respektohej vullneti i fëmijës dhe se fëmija kishte qëndruar për tri javë te familjarët e tij.

“Përfundimi ka qenë që gjithmonë me qenë vullneti i fëmijës, ne jemi munduar që ti përshtatemi fëmijës, fëmija normal. Kjo me vetë dëshirë e ka dhënë ka 3 javë te familja vetë”, tha Morina.

I pyetur nga Rrustemi nëse atë ditë kishte kuptuar se fëmija nuk ishte as me babanë dhe as me nënën, Morina u përgjigj pozitivisht, duke shtuar se fëmija kishte qëndruar te gjyshërit.

“Ka qenë te agjallarët, ka qenë te gjyshja. Ajo e ka dhënë disa herë me vetëdëshirë, ka shkuar, ka jetuar te ata”, tha ai.

Ndërkaq, deputetja e VV-së, Arjeta Rexhepi, e pyeti Morinën lidhur me një ankesë që, sipas dokumenteve që posedon Komisioni, e ndjera Arlinda Zekaj e kishte drejtuar ndaj tij përmes një emaili në Departamentin e Mirëqenies Sociale.

Morina tha se ankesa kishte të bënte me çështjen e psikologes dhe me kërkesën për mbrojtësin e viktimave, duke shtuar se nuk i kujtohej saktësisht rasti.

“Për atë që e folëm, për psikologen që nuk e kemi thirrur dhe që nuk është obligim i yni. Ka kërkuar mbrojtësin e viktimave, nuk më kujtohet, nuk është kompetencë e jona”, tha ai.

Të ngjashme