Musmurati-deputetëve: Kërkojmë llogaridhënie për bllokimin e projektit për blerjen e 100 kamionëve të rinj për pastrim

Prishtinë | 20 Nën 2026 | 12:24 | Nga Ekonomia Online

Nënkryetarja e Kryeqytetit, Besianë Musmurati, ka njoftuar sot se Komuna e Prishtinës u është drejtuar me letra zyrtare deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar angazhimin e tyre institucional për zhbllokimin e projektit prej 74.1 milionë eurosh për modernizimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për media, Musmurati theksoi se projekti, i përgatitur në bashkëpunim me bankën gjermane KfË, parasheh investime për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, ndërtimin e qendrës për riciklimin dhe kompostimin e mbeturinave, si dhe modernizimin e shërbimeve të pastrimit.

Sot po u drejtohemi zyrtarisht deputetëve të Kuvendit të Kosovës, për të kërkuar angazhimin e tyre institucional për zhbllokimin e një projekti jetik për Prishtinën. Nuk mund të lejojmë që për inate politike të mbetet peng një investim që prek drejtpërdrejt jetën e rreth 450 mijë qytetarëve të rajonit të Prishtinës. Po flasim për një projekt prej 74.1 milionë eurosh, i cili vazhdon të mbetet i bllokuar. Prej vitit 2023, Komuna e Prishtinës, KRM “Pastrimi”, Ministria e Financave dhe banka gjermane KfË kanë punuar për përgatitjen e këtij projekti. Një projekt që parasheh investime për blerjen e rreth 100 kamionëve të rinj, 10 mijë kontejnerëve, modernizimin e shërbimit të pastrimit dhe përmirësimin e sistemit të menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Prishtinës”, ka thënë ajo.

Ajo, ka thënë se ky projekt është bllokuar suke shtuar se konsidrojnë se po bëhet me motive nga inatet politike.

“Pra, nuk po flasim për një ide që duhet me nisë prej zeros. Po flasim për një projekt të përgatitur, të dakorduar mes palëve, për të cilin Qeveria e Kosovës ka miratuar në parim nismën për marrëveshjen e kredisë qysh më 18 dhjetor 2024. E megjithatë, marrëveshja vazhdon të mbetet pa nënshkrimin e ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ne e konsiderojmë këtë bllokadë të motivuar nga inatet politike. Për shkak të mosnënshkrimit nga Hekuran Murati, po mbahet peng një projekt që do t’i siguronte Prishtinës kapacitete shumë më të mëdha për grumbullimin dhe menaxhimin e mbeturinave.Dhe kush po i bart pasojat e kësaj bllokade? Qytetarët e Prishtinës”, ka shtuar Musmurati.

Ajo ka treguar edhe tri letrat zyrtare, të cilat do t’ua dorëzojnë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me kërkesën që të përdorin mekanizmat e tyre parlamentarë, të kërkojnë sqarime zyrtare nga Ministria e Financave dhe të ndërmarrin hapa konkretë për zhbllokimin e këtij projekti.

“Këtyre letrave ua kemi bashkëngjitur edhe tri dokumente të rëndësishme:

1. Dokumentin e KfË-së, lidhur me projektin dhe financimin e tij.

2. Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, të datës 18 dhjetor 2024, për miratimin në parim të nismës për marrëveshjen e kredisë.

3. Letrën e përbashkët të Komunës së Prishtinës, KRM “Pastrimi” dhe KfË-së, të datës 15 maj 2026, drejtuar Ministrisë së Financave, me kërkesën për përshpejtimin e procedurave dhe finalizimin e marrëveshjes”, ka thënë ndër të tjera Musmurati.

“Pra, deputetëve nuk po u drejtohemi vetëm me një kërkesë. Po ua dorëzojmë edhe dokumentacionin që dëshmon se ky projekt është përgatitur dhe se institucionet janë njoftuar zyrtarisht për nevojën e finalizimit të tij. Nuk po kërkojmë nga deputetët të mbajnë anë politike. Po kërkojmë që ta ushtrojnë përgjegjësinë e tyre institucionale dhe ta mbrojnë interesin e qytetarëve që i përfaqësojnë. Deputetët kanë mandat për të kërkuar llogaridhënie nga Qeveria. Sot po kërkojmë që këtë mandat ta vënë në funksion të qytetarëve të Prishtinës. Ministria e Financave duhet të japë përgjigje të qarta: Pse nuk po nënshkruhet marrëveshja dhe kur do t’i hapet rruga këtij investimi? Prishtina nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e inateve partiake! Sot po i dorëzojmë letrat. Tani presim përgjigje, përgjegjësi dhe veprime konkrete”, ka thënë në fund Musmurati.

Të ngjashme