Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Buxhetin e vitit 2027 në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar se Qeveria do t’u përmbahet zotimeve të saj, duke theksuar se të hyrat buxhetore në gjashtë vjet janë rritur për 135 për qind, raporton Ekonomia Online.
Kurti ka thënë se rritja e të hyrave buxhetore nga 1.7 miliardë euro në vitin 2021 në katër miliardë euro sa parashihen për vitin 2027, është një e dhënë që, sipas tij, dëshmon zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai ka theksuar se kjo rritje nuk është vetëm rezultat i punës së Qeverisë, por edhe i sektorit privat, zyrtarëve publikë dhe qytetarëve në përgjithësi.
“Natyrisht që ne i përmbahemi zotimeve të tona. Ato zotime nuk janë zotime vetëm për vitin 2027, janë më shumë se aq, por këtu përmend shumë edhe qeverisja jonë deri më tani, sepse ne besojmë që ajo ofron gjithë bazën e nevojshme për optimizmin e më tutjeshëm. Edhe në këtë kuptim nuk do të duhej që të harrohen shifrat gjerësore. Ta zëmë, në vitin 2021, që është viti i parë kur qeverisëm ne në këtë mandatin e plotë që kishim, madje edhe më gjatë se aq, për shkak se përsëriteshin zgjedhjet pa qeveri të re, të hyrat buxhetore në vitin 2021 kanë qenë 1.7 miliardë euro. Ndërkaq, të hyrat buxhetore në vitin e ardhshëm do të jenë 4 miliardë euro. Me fjalë të tjera, për gjashtë vjet, të hyrat buxhetore rriten për 135%. Rritja e tyre buxhetore për 135% nga 1.7 miliardë në 4 miliardë për gjashtë vjet, unë besoj që është e dhënë mbresëlënëse. Kjo nuk është thjesht rezultat i Qeverisë së Republikës së Kosovës, është i sektorit privat, është i zyrtarëve publikë, është i popullit në tërësi”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka folur edhe për rritjen e importeve, duke thënë se kjo ndërlidhet me rritjen e fuqisë blerëse të qytetarëve dhe zgjerimin e klasës së mesme në Kosovë.
Sipas tij, rritja e pagave, punësimit dhe pensioneve, si dhe shtesat për nënat dhe fëmijët, kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes ekonomike të familjeve.
“Tjetra është që një mend importet janë rritur, por importet janë rritur edhe për shkak se është rritur fuqia blerëse në Kosovë. Unë mendoj që është zgjeruar klasa e mesme në Kosovë. Dhe ky zgjerim i klasës së mesme vjen nga disa faktorë. Një faktor është rritja e pagave. Faktor tjetër është rritja e punësimit. Faktor tjetër është rritja e pensioneve. Pensioni bazik që ka qenë 90 euro, është bërë 150 euro. Por edhe pensionistët për pesë vjet e kanë marrë shtatë herë mbështetjen e njëhershme 100 euro, pra që i bie për pesë vjet e kanë marrë shtatë herë pensionin e 13-të. Po janë edhe shtesat për nëna e për fëmijë. Pra, ju kemi dhënë mjete atyre që kanë më pak e të cilët përmirësimin e jetës kur e bëjnë me atë që ju kemi dhënë pak, nuk është pak. Është, në fakt, shumë. Sepse atij që ka shumë, kur i jep pak, është gati aspak. Po atij që ka pak, kur i jep pak, është shumë. E këtë e kemi bërë ne, edhe e kemi rritur kërkesën agregate prej poshtë”, ka thënë Kurti.
Ai ka theksuar se politikat e Qeverisë kanë pasur për synim zvogëlimin e pabarazisë ekonomike në shoqëri, duke përmendur rritjen e pagës minimale dhe ndryshimin e raportit mes pagave më të larta dhe më të ulëta në administratën shtetërore.
“Sa më e vogël pabarazia në shoqëri, aq më e madhe kërkesa agregate. Edhe ne e kemi zvogëluar pabarazinë duke ju dhënë atyre që janë më të varfër, atyre që i kanë pagat më të ulëta. Mos harroni që e kemi trefishuar pagën minimale. E kemi gjetur 130 përkatësisht 170 euro, tash është 500 euro. A paga minimale 11 vjet s’është prekur fare? Ose raporti ndërmjet pagës më të lartë edhe më të ulët në administratën e shtetit tonë, ka qenë 20 me 1 raporti. Tash është 4 me 1. Kjo është zvogëlim pesëfish i pabarazisë. Pra, sa më e vogël pabarazia, aq më e madhe kërkesa agregate. Dhe prandaj e kemi një import rreth 7 miliardë”, ka deklaruar kryeministri.
Kurti ka folur edhe për mundësitë e rritjes së prodhimit vendor, duke thënë se nga rreth shtatë miliardë euro importe, katër miliardë euro të produkteve mund të prodhohen brenda vendit.
Ai ka thënë se për këtë arsye Qeveria synon të ofrojë një miliard euro garanci shtetërore për kreditë investive, me qëllim të mbështetjes së bizneseve që dëshirojnë të investojnë në prodhim.
“Mirëpo, në bazë të disa studimeve që janë bërë kohëve të fundit, prej këtyre 7 miliardëve, është interesant që 4 miliardë mund t’i prodhojmë vetë. Nja 3 miliardë nuk mundemi me i prodhuar vetë. Në fakt, mundemi, po shumë vonë, ndoshta një brez tjetër, jo brezi ynë, le të themi. Po 4 miliardë mund t’i prodhojmë vetë. Prandaj edhe synimi ynë është 1 miliardë garanci shtetërore për kreditë investive për ata që dëshirojnë me prodhuar. Këtu duhet të jetë fokusi ynë. Ne nuk e kemi tregun e madh. Jemi 1.6 milionë banorë. Dhe duhet të orientohemi ka eksporti, po qe besa edhe ka zëvendësimi i importeve”, ka thënë ai.
Kryeministri ka përmendur edhe idenë e zëvendësimit të importeve deri në vitin 2030, duke bërë të ditur se Qeveria po mbështet ekspertë, organizata dhe institute që janë duke punuar në këtë drejtim.
“Dhe andaj edhe kjo ideja për zëvendësimin e importeve deri në vitin 2030, ku ne po i mbështesim ekspertë të ndryshëm, organizata dhe institute të cilët po punojnë në këtë drejtim. Pra, importet janë rritur sepse është rritur fuqia blerëse, pagat janë rritur edhe në sektorin privat edhe në sektorin publik”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka pranuar se do të dëshironte që pagat në sektorin privat të rriteshin më shumë, duke vlerësuar se rritja e fitimeve të korporatave nuk është përcjellë në të njëjtën masë me rritjen e pagave të punëtorëve.
“Unë kisha pasur qejf pagat në sektorin privat me u rritur shumë më shumë se sa që janë rritur, sepse në fakt nëse shikoni fitimin e korporatave në Kosovë, në sektorin privat, është prej dikund rreth 900 milionë në 2.3 miliardë. Që i bie gati dy herë e gjysmë. Po pagat në sektorin privat nuk e kanë ndjekur fitimin në sektorin privat. Edhe në këtë kuptim pagat në sektorin publik janë rritur shumë më shumë se sa në sektorin privat. A në sektorin privat është rritur edhe fitimi, sepse është rritur qarkullimi i bizneseve. Prej 12.5 miliardë dikur sa ka qenë në fillim të mandatit atëherë, në 25 miliardë tani”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ka folur edhe për raportin mes rritjes së importeve dhe eksporteve, duke theksuar se gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet janë rritur me ritëm tri herë më të shpejtë sesa importet.
“E tash, jo vetëm që janë rritur importet se është rritur fuqia blerëse, po mos harroni që prej muajit janar deri në muajin tetor, trefish më shpejt janë rritur eksportet se importi. Është e vërtetë që fatura e importit po vjen duke u rritur, po shumë më shpejt po rritet eksporti. Eksporti nga janari deri në tetor sivjet e ka trefish më të lartë shpejtësinë e rritjes sesa importi”, shtoi Kurti.
