Agjencia Kundër Korrupsionit javë më parë ka bërë publike deklarimet e pasurisë nga ana e zyrtarëve të lartë publik. Mirëpo, disa prej zyrtarëve nuk e kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor.
28 është numri i atyre që nuk e kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor, ndërsa 35 të tjerë e kanë bërë këtë veprim pas afatit.
Në mesin e tyre, ka të tillë që janë arsyetuar se vonesat për mosdeklarim kanë ndodhur për arsye shëndetësore dhe të ndryshme.
“* 13 zyrtarë nuk kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor (mirëpo ju njoftojmë se nga këta 13 zyrtar ka prej tyre që në ndërkohë kanë deklaruar pasurinë në AKK duke dhënë edhe arsyetime të ndryshme dikush të bazuar e dikush jo, për mos-deklarim në afatin ligjorë);
* 35 zyrtarë kanë deklaruar pasurinë pas afatit ligjor;
* 15 zyrtarë nuk kanë deklaruar pasurinë në afatin ligjor për arsye shëndetësore dhe të tjera”, thuhet në përgjigjen e AKK-së për lajmi.net.
Tutje, AAK thotë se do t’i verifikojnë të gjitha pretendimet për arsyet e deklaruara nga zyrtarët e lartë publik për vonesat e deklarimit të pasurisë pas afatit, dhe mos deklarimit të pasurisë edhe pas kalimit të afatit.
Sipas shortit të tërhequr prej AKK-së, nga 4862 deklarues, formularët e 974 zyrtarëve do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e agjencisë.
Në listën e zyrtarëve që do t’i nënshtrohen këtij kontrolli, në vijim gjeni disa prej emrave më të njohur për publikun.
Endrit Shala – ministër i Tregtisë, Ekrem Mustafa – ministër i Punëve të Brendshme, Albulena Haxhiu, Flora Brovina, Ali Lajçi, Labinot Tahiri, Korab Sejdiu – deputetë të Kuvendit të Kosovës.
Nga kryetarët e komunave, hynë Gazmend Muhaxheri i Pejës dhe Bekim Jashari i Skenderajt.
Po ashtu, kontroll ndaj pasurisë do t’i bëhet edhe bashkëshortes së presidentit, Lumnije Thaçit.