Grupi
për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka shpalosur të gjeturat e raportit të
monitorimit: “Monitorimi i Sistemit Gjyqësor dhe
Prokurorial në Kosovë për periudhën Prill-Shtator 2021”, raporton Ekonomia Online.
Në raport përfshihet rrjedhshmëria e rasteve të korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave në gjykatat e vendit, dhe çështjet që e karakterizuan sistemin gjyqësor e prokurorial këtë periudhë.
Gjatë periudhës prill-shtator,
numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër gjykatat në nivel vendi i takon
veprave penale të natyrës korruptive me gjithsej 57 raste të zgjidhura ndërkaq
që rezultatet janë dukshëm më të vogla kur flasim për krimin e organizuar dhe shpëlarjen
e parave.
Ndërkaq që edhe më tutje si
shqetësuese mbetet numri i madh i rasteve të korrupsionit që presin verdikt
final në gjykatat themelore në nivel vendi, numër ky i cili shkon në 283 raste.
Rreze Hoxha-Zulaj nga GLSP, tha se gjatë kësaj periudhe të raportimit sistemin gjyqësor sikurse edhe në periudhat e kaluara të raportimit, e karakterizoi numri më i madh i lëndëve të zgjidhura të natyrës korruptive, ndërkaq që rezultatet janë të vogla në raport me lëndët e krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parave.
Sipas
saj, ajo që e karakterizoi këtë periudhë të raportimit ishte respektimi në
vazhdimësi i vendime të KGJK dhe KPK nga ana e gjykatave në drejtim të
mbarëvajtjes së seancave gjyqësore nëpër gjykatat në nivel vendi, të cilat
vendime ishin në përputhje edhe me vendimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës
për parandalimin e përhapjes së Covid-19.
Ajo më
tej shtoi se si rezultat pozitiv gjatë kësaj periudhe është shënuar rritja e
shqiptimit të dënimeve plotësuese nga ana e gjykatave në nivel vendi për veprat
penale të natyrës korruptive, për të cilat Drejtësia Sot ka rekomanduar në
vazhdimësi.
Sipas
saj, është mjaft shqetësuese fakti i mospërputhjes të të dhënave në mes të
gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi.
“Një
rrethanë e tillë gjatë përpilimit të këtij raporti është vërejtur më së shumti
në të dhënat e pranuara nga ana e gjykatave dhe numrin e aktakuzave të ngritura
nga ana e Prokurorive”.
Drejtësia
Sot gjatë monitorimi të kësaj periudhe ka gjetur se:
KGJK-në e
karakterizoi zgjedhja e Kryesuesit të ri të këtij institucioni, zgjedhja e
anëtarëve të KGJK nga gjyqësori, zgjedhja e kryetarëve të gjykatave themelore
dhe gjyqtarëve mbikqyrës, dhe një menaxhim mjaft i mirë me situatën e krijuar
nga pandemia Covid-19. Aspekte mjaft pozitive nga ky institucion u treguan në
raport të transmetimit të mbledhjeve në ueb portalin e tyre, si dhe publikimi i
vendimeve disiplinore të marra nga ana e Gjykatës Supreme pas ankesave të parashtruara
nga subjekti i procedurës disiplinore për të cilat Drejtësia Sot ka raportuar
më herët.
Ndërkaq që
KPK-në e karakterizoi themelimi i grupeve punuese për hartimin e akteve
nënligjore, Raportimi i Komisionit Mbikëqyrës për Zbatimin e Planit Strategjik
dhe Planit të Veprimit për Luftimin e Korrupsionit dhe Krimeve Ekonomike,
rishpallja e konkursit për prokurorë të shtetit në kuadër të prokurorive
themelore në Kosovë, emërimi i Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në
Gjakovë dhe transferimi dhe avancimi i prokurorëve të shtetit. Si një rrethanë
pozitive në këtë periudhë konsiderohet bashkëpunimi i mirë i këtij institucioni
me shoqërinë civile dhe konsultimet e
vazhdueshme publike lidhur me draftimin e akteve nënligjore.
Gjatë
periudhës prill-shtator 2021, numri më i madh i rasteve të zgjidhura nëpër
gjykatat në nivel vendi i takon veprave penale të natyrës korruptive me
gjithsej 57 raste të zgjidhura ndërkaq që rezultatet janë dukshëm më të vogla
kur flasim për krimin e organizuar dhe shpërlarjen e parave. Pas analizimit të
vendimeve të shqiptuara nga ana e gjykatave në nivel vendi, Drejtësia Sot e
sheh si një shenjë shumë pozitive shqiptimin e dënimeve plotësuese në drejtim
të veprave penale të natyrës korruptive, për të cilën edhe është rekomanduar në
vazhdimësi. Një tjetër çështje e cila duhet mirëpritur nga ana e gjykatave në
nivel vendi është edhe detyrimi për kompesimin e dëmit palëve të dëmtuara në
procedurë penale, shumë kjo e cila për këtë periudhë të raportimit arrin rreth
55 mijë euro. Ndërkaq që edhe më tutje si shqetësuese mbetet numri i madh i
rasteve të korrupsionit që presin verdikt final në gjykatat themelore në nivel
vendi, numër ky i cili shkon në 283 raste.
Drejtësia Sot
e sheh si shqetësuese joefikasitetin e gjykatave në trajtimin e lëndëve të
krimit të organizuar. Sipas të dhënave të paraqitura në raport rezulton se GjTh
në Prishtinë, ajo e Pejës dhe e Mitrovicës mbeten edhe më tutje gjykatat e
vetme në vend të cilat trajtojnë lëndë të krimit të organizuar. Për Drejtësia
Sot është mjaft shqetësuese fakti se GjTh në Pejë dhe ajo në Mitrovicë ende nuk
kanë arritur të zgjidhin asnjë lëndë të kësaj natyre të cilat mbesin aktive
pranë këtyre gjykatave, respektivisht gjykata e Mitrovicës me 16 sosh ndërkaq
ajo e Pejës me 2 raste. Dy aktgjykimet e vetme të marra nga GjTh në Prishtinë
në kuadër të krimit të organizuar u shqiptuan për vepra penale tjera.
Situatë të
ngjashme kemi edhe me rastet e shpërlarjes se parave të cilat momentalisht
trajtohen nga GjTh në Prishtinë dhe ajo në Prizren. Edhe këtë periudhë të
raportimit e karakterizoi një efikasitet i dobët në drejtim të zgjidhjes së
këtyre rasteve, i cili krahasuar edhe me periudhat e kaluara të raportimit
gjendja nuk ka ndryshuar shumë. Edhe më tutje një rast i tillë është aktiv në GjTh
në Prizren ndërkaq që edhe 8 raste presin trajtim nga GjTh në Prishtinë.
Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë morri aktgjykim lirues
në rastin e vetëm të zgjidhur.
Drejtësia Sot
gjatë kësaj periudhe ka dërguar një mori kërkesash për qasje në dokumente
publike, kërkesa këto të cilat jo çdoherë kanë rezultuar me sigurimin e
informatës nga ana e institucioneve gjyqësore e prokuroriale. Stagnim në
sigurim të informacionit ka treguar GjTh në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit.
Kur flasim
për shkeljet procedurale të evidentuara gjatë kësaj periudhe të raportimit edhe
më tej sikurse në periudhat e kaluara mbizotorojnë shkelje në raport me
mosrespektimin e afateve për caktimin dhe mbajtjen e seancave gjyqësore.
Shkelje të tilla janë evidentuar pothuajse në të gjitha gjykatat në nivel
vendi. Të tilla shkelje kanë të bëjnë më moscaktimin në kohë të seancës
fillestare dhe moscaktimin në kohë të seancave të shqyrtimit gjyqësor. Shkelje
të tjera të evidentuara janë edhe shkelje me rastin e pranimit të fajësisë,
shkelje të ligjit special, mosarsyetimi i vendimeve nga ana e gjykatave,
tejkalimi i afatit për shpallje të aktgjykimit, shqiptimi i gabueshëm i dënimit
plotësues, shkelje procedurale të prokurorisë, mosdorëzimi i materiale të
lëndës, të cilat shkelje në mënyrë të detajuar janë paraqitur në raportin e
monitorimit.