GLPS-ja kërkon nga partitë politike të arrijnë konsensus për reformën zgjedhore

Prishtinë | 26 Jan 2021 | 13:08 | Nga Ekonomia Online

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka mbajtur tryezën e diskutimit me temë: “Reforma zgjedhore dhe zgjedhjet: a është reforma zgjedhore prioritet në programet e partive politike?”.

GLPS-ja prezantoi Analizën e Politikave në te cilën konsideroi se një reformë zgjedhore është e domosdoshme për të menjanuar problemet e vazhdueshme në proceset zgjedhore. Në të njëjtën linjë GLPS konsideroi se Projektligji për Financimin e Partive Politike duhet të mbetet prioritet për qeverinë në ardhje dhe i njëjti duhet të mbetet sipas rekomandimeve të shoqërisë civile dhe Komisionit të Venecias.

Drejtori i Zyrës për Regjistrim dhe Çertifikim të Partive Politike, Buleshkaj, theksoi se është shumë e rëndësishme se para se të filloj një proces reformues duhet të bëhet një vlerësim i tërësishem me të gjitha palët e interesit, përfshirë këtu edhe institucionet relevante, në mënyre qe të kontribuohet njejtë në këtë proces. Poashtu, ai mirëpriti iniciativën, por edhe kontributin e shoqërisë civile për reformat e inicuara për partitë politike, duke konsideruar një iniciativë të tillë si shumë të rëndësishme drejt rritjes së transparencës financiare.

Në vazhdim, Hajdini, përfaqsues i LDK-së, theksoi nevojën për ligje të aplikueshme në praktikë. Ai konsideroi që ekziston një nevojë e madhe për rishikim të Projektligjit për Financimin e Partive Politike, duke gjetur një konsensus të gjërë mes partive ekzistuese. Sipas tij projektligji aktual ngërthen në vete procedura që janë veshtirë të aplikueshme. Ai shtoi se tashmë është evidente se financimi i partive politike ballafaqohet me mungesë transparence, dhe mbetet parakusht që të propozohen ndryshimet e nevojshme qe projektligji aktual të jetë i zbatueshëm nga i gjithë spektri politik.

Ndërkaq, Rrustemi, përfaqësues i Lëvizjes Vetëvendosje, vuri theksin mbi politizimin e tejskajshëm me procesin e reformës zgjedhore duke potencuar se asnjëherë nuk ka ekzistuar një seriozitet i dëshiruar, por është përdorur më shumë për interesa politike, sidomos gjatë fushatave zgjedhore. Ndër të tjera ai tha se vëmendja duhet të vihet në administrimin e proceseve zgjedhore se sa në reformën e sistemit zgjedhor. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme të sigurohen kapacitetet e duhura profesionale të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe ndër të tjera te sigurohet pavarësia e Zyrës për Regjistrimin dhe Certifikimin e Partive Politike.

Si përfundim, GLPS, u bëri thirrje të gjitha partive politike në Kosovë, që te angazhohen në arritjen e një konsensusi të përgjithshëm, për ta çuar vendin drejtë një reformën të mirëfilltë zgjedhore, dhe përfundimisht të bëjnë përpjekje serioze në ngritjen e transparencës financiare të partive politike.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme