Pas dorëheqjes nga pozita e deputetit, kryetari i zgjedhur i Ferizajt Agim Aliu, tashmë ka ftuar mbledhjen e parë të përbërjes së re të Kuvendit Komunal. Në këtë seancë e cila do të mbahet më 20 dhjetor do të zgjedhet edhe kryesuesi i kuvendit, ndërkaq po në këtë ditë, Aliu tha se do ta marr detyrën e re si kryetar komune, duke e përcjellë Muharrem Svarqën me një ceremoni modeste.
Duke treguar për këto procedura që e presin pushtetin lokal gjatë javës së ardhshme, ai tha se është gati ta përmbyll listën me emrat e ekipit të vet qeverisës. Por, tash për tash, Aliu nuk parapëlqej të flas me emra, pasi sipas tij, përbërja e qeverisë lokale do të publikohet një ditë pas konstituimit të Kuvendit Komunal.
“Ende nuk e kemi përcaktuar saktë formulën, por ajo që kam thënë gjithmonë do të jetë ekip i përbashkët, ekip i homogjenizuar për të implementuar platformën time qeverisëse, atë që e kam thënë gjatë gjithë kohës që nuk e negocioj me askënd. Ende është duke u përcaktuar formula, por nuk ka rëndësi se sa drejtori do t’i ketë PDK-ja, AAK-ja, Nisma apo edhe AKR-ja, sepse ne do të funksionojmë si një ekip i vetëm, por mund të them se vështirë për ta zgjedhur këtë ekip nuk e kam fare, pasi që platforma qeverisëse është e tillë ku secili nga partnerët do ta gjen vetën, prandaj do ta ndërtojmë një ekip i cili do jetë garancia dhe siguria e zbatimit të qind për qind e platformës time qeverisëse”,tha Agim Aliu.
E, derisa kryetari Aliu zotohet se ekipi i tij do të jetë kryekëput në frymë të llogaridhënies e transparencës, ai paralajmëroi se pjesë e vendimmarrjes do të jenë edhe tri gra.
“Ajo që kam premtuar siç është në pjesën e platformës qeverisëse të jetë edhe në përfshirjen e vendimmarrjes së politikës, unë jam duke u kujdesur që në pozitat më të larta udhëheqëse pikërisht do të jetë gjinia femërore dhe kjo do të bëhet. Prandaj zotohem se në këto pozita më të larta të ekzekutivit dhe legjislativit do të jenë të përfshira gratë”, tha Aliu.
Deri të mërkurën e ardhshme ku edhe do të betohet kryetari Agim Aliu dhe përbërja e Kuvendit Komunal, punët e qeverisë lokale në Ferizaj po vazhdojnë të kryhen nga kryetari në largim Muharrem Svarqa. (TV Tema)