Anëtari i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) nga radhët e shoqërisë civile, Visar Krasniqi, ka kërkuar nga Komisioni i KPK-së që të raportojë lidhur me kërkesat për qasje në informata, duke shmangur gjobitjet nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP).
Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) më 21 janar kishte marrë vendim dhe kishte gjobitur Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) në shumën prej 3 mijë euro. Ky vendim është marrë pas shqyrtimit të ankesës së Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), për heshtjen e KPK-së ndaj kërkesës për qasje në dokumente publike.
“Kërkoj nga Komisioni për Administrim të Prokurorive që urgjentisht të hartojë raportin unik të raportimit të Kryeprokurorëve, në mënyrë që të mos kemi raportime të ndryshme dhe të shmangim situata ku një Këshill dënohet. Sot ka një lajm që KPK është dënuar me 3 mijë euro për mosofrim të qasjes në dokumentet publike,” ka deklaruar Krasniqi, në mbledhjen e KPK-së.
Sipas tij, krijimi i një sistemi të unifikuar të raportimit dhe ofrimi i qasjes së kërkuar në dokumente publike do të ndihmonte në shmangien e rasteve të ngjashme në të ardhmen.
Sipas vendimit të AIP, kërkesa e palës ankuese (IKD) ka pasur të bëjë me qasje në informacione se sa aktakuza ishin ngritur nga secili prokuror i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në gjashtëmujorin e parë të vitit 2024, për sa persona të akuzuar për departament, si janë zgjidhur dhe për të njëjtat a është ushtruar ankesë në instanca më të larta gjyqësore. Po ashtu, edhe se sa aktakuza janë ngritur në gjatë viteve 2021, 2022 dhe 2023, a ka qenë vendimi lirues apo dënues dhe për të njëjtat a është ushtruar ankesë në instanca më të larta gjyqësore.
Në vendim, bëhet e ditur se kërkesa e IKD-së për qasje në dokumente publike ishte parashtruar më 25 tetor 2024. Përderisa, ankesa në AIP ishte parashtruar më 6 nëntor 2024.
Aty thuhet se AIP gjatë shqyrtimit të ankesës, e ka obliguar KPK-në që t’i ofrojë palës ankuese (në këtë rast IKD-së) qasje të plotë në informacionet që kanë qenë objekt kërkese.
Sipas vendimit, KPK-ja me gjithë paralajmërimin e AIP-së se kishte vetëm shtatë ditë afat për ta jetësuar kërkesën e palës ankuese, duke i ofruar qasje në informacionet e kërkuara, nuk e ka zbatuar vendimin e Agjencisë.