Automjeti në pronësi të shtetasit nga Mitrovica, Kosovë, Xhafer Osmani në të cilën u gjet një trup i pajetë i vrarë dhe më pas i djegur, është fiksuar nga kamerat e sigurisë së një karburanti 250 metra larg vendit të ngjarjes.
Sipas të dhënave nga policia, mjeti tip “Volkswagen Touran” me targa 02960SN rezulton të jetë futur në rrugicën pranë karburantit në orën 10:00, ndërsa sinjalizimi për zjarrin është dhënë në orën 13:05 minuta.
Sipas të dhënave, mjeti ishte i pajisur me xhama të zinj në dyert e pasme, ndërsa kamerat kanë arritur të fiksojnë vetëm shoferin, një person rreth 30 – 35 vjeç. Ndërsa viktima dyshohet se ka qenë i lidhur në pjesën e pasme të automjetit.
Pasi kanë vajtur në fund të një are të mbjellë me grurë dhe pa dalje, autorët e kanë fshehur makinën në kallamishte për të mos u dukur, raporton tv Klan.
Misteri që mbulon ngjarjen përveç identitetit të viktimës është fakti përse autorët e kanë mbajtur për rreth tre orë në të njëjtin vend dhe më pas kanë vendosur ta djegin.
Dyshimet janë se ndaj viktimës mund të jetë ushtruar dhunë apo tortura të ndryshme me qëllim nxjerrjen e ndonjë të dhëne që ju ka interesuar autorëve, të cilët më pas e kanë vrarë dhe i kanë vënë zjarrin makinës për të humbur gjurmët.
Zyrtarisht mësohet se viktima është gjendur i karbonizuar me pak pjesë biologjike të mbetura në pjesën e pasme të makinës.
Dyshimet janë se viktima është 57-vjeçari Xhafer Osmani. Vëllai i tij mbrëmjen e së premtes (një ditë para ngjarjes) sipas deponimeve paraprake, mësohet se ka deklaruar se me vëllain e tij nuk ka arritur të lidhet në telefon pasi e kishte telefonin e fikur.
Xhafer Osmani hyri në Shqipëri nga pika kufitare e Morinës të dielën e datës 29 Prill 2018, dhe të shtunën më datë 5 Maj makina e tij u gjet në flakë me një person të vrarë dhe të djegur 5 kilometra larg qytetit të Fushë-Krujës, 250 metra larg rrugës nacionale.