Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) organizoi Panairin e Vullnetarëve, në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i vullnetarizmit dhe qytetarisë aktive në Kosovë”.
Organizatorja e këtij panairi, Ajete Kërçeli, theksoi se 33 organizata po marrin pjesë në panair dhe tha se ideja e panairit është të marrin pjesë të gjithë qytetarët pavarësisht moshës, raporton EkonomiaOnline.
“Kemi 33 organizata që po marrin pjesë në panair. Ideja ka qenë me bë në ambient të hapur me qenë i qasshëm për të gjithë qytetarët pavarësisht moshës. Këtu jemi për të promovuar një gamë të gjerë aktivitetesh që të angazhohen qytetarët edhe në aktivitete më të gjera”.
Marigona Kelmendi, përfaqësuese e organizatës “Instituti kosovar i pedagogëve të rijnë”, tregoi se qëllimi i organizatës së tyre është promovimi i pedagogëve në vendet e punës.
“Organizata jonë është krijuar për promovimin e rolit të pedagogut në vendet e tyre të punës. D4D ka ba punë të madhe sepse papunësia është e madhe dhe mënyra ma e mirë që të rinjtë me marrë pjesë me një organizatë dhe aktivitete është puna vullnetare”.
Ndërsa, Dhurata Dani, vullnetare në këtë panair u bën thirrje të rinjve të punojnë vullnetarisht ku sipas saj, arrijnë eksperiencë.
“Jemi këtu me tregu aktivitetet tona, me i thirr të rinjtë me punu punë vullnetare me pa që edhe me punë vullnetare arrinë eksperiencë, ju bëjë thirrje të vijnë të punojnë vullnetarisht”.