Më shumë se 250 banorë të ndërtesës së banimit “Grendfell Tower” i kanë shpëtuar zjarrit shkatërrues i cili vrau të paktën 80 persona muajin e kaluar, njofton policia britanike.
Policia ka thënë se hetuesit kanë zbuluar se 350 persona jetonin në ndërtesën e djegur në perëndim të Londrës, por 14 nuk ishin prezent aty kur ndërtesa u kaplua nga flaka më 14 qershor, transmeton Express.
Autoritetet besojnë se 255 persona i kanë shpëtuar zjarrit, ndërsa 80 të tjera vlerësohet se kanë vdekur ose janë zhdukur.
Tridhjetë e dy viktima janë identifikuar pozitivisht, pas kryerjes së 55 autopsive, sipas hetuesve.
Hetuesit kanë thënë po ashtu se për shkak të dëmit të shkaktuar nga zjarri, disa trupa mund të mos identifikohen kurrë.
Megjithatë, policia ka thënë se nuk pret që numri i përgjithshëm i të vdekurve të rritet më.