34 raste me COVID-19 në Kamenicë, rreth 40 persona do të testohen sot

Prishtinë | 27 Pri 2020 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

34 persona nga komuna e Kamenicës janë konfirmuar të prekur me COVID-19 deri më tani. Rastet e fundit në këtë komunë u shënuan të më 22 prill, ku 8 persona rezultuan pozitivë në testimet për coronavirus.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës sot ka marrë rreth 40 mostra për testim në komunën e Kamenicës, të personave që dyshohet se kanë pasur kontakte me të prekurit me COVID-19

Rreth 40 persona nga tetë fshatra të komunës së Kamenicës po presin të testohen sot për të parë nëse janë prekur me COVID-19 apo jo.

Këtë e ka thënë për Express zëdhënësja e Komunës së Kamenicës, Margarita Rashiti.

“Në IKShPK kemi dërguar një listë me persona që duhet të testohen. Rreth 40 mostra janë marrë sot në komunën tonë, përfshirë Poliqkën, Topanicën, Kamenicën, Koretinin, Marocën, Hogoshtin, Berivojcën dhe Hodonocin”, ka theksuar Rashiti.

Ndërkohë, numri total i personave të prekur me COVID-19 në Kosovë tashmë ka shkuar në 763.

Nga ta janë shëruar 166, ndërkaq kanë vdekur 21 persona.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, të mërkurën në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, por do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill.

Të ngjashme