35 vjetori i themelimit të LDK-së, Abdixhiku me bashkëpartiakë nderojnë Rugovën

Prishtinë | 23 Dhj 2024 | 10:57 | Nga Diellza Gashi

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe zyrtarë të tjerë të partisë kanë bërë homazhe te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova, në përvjetorin e 35 të themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Abdixhiku ka kujtuar 23 dhjetorin e vitit 1989, datë kjo kur “intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtare për liri, pavarësi e demokraci”.

“Sot nderojmë dhe kujtojmë 23 dhjetorin e vitit 1989 datën kur 35 vite më parë intelektualë të shquar të kohës nisën lëvizjen më të madhe kombëtarë për liri, pavarësi e demokraci. Ata themeluan Lidhjën Demokratike të Kosovës dhe në krye të saj u vendos arkitekti i vetë Kosovës, presidenti historik Ibrahim Rugova, të cilit sot i bëjmë nderime”, tha Abdixhiku.

Ai theksoi se Kosova ka nevojë të rikujtojë momentet historikem për të krijuar momentume të reja, teksa një momentum i ri, sipas Abdixhikut, na vjen në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“35 vite më pas ne pasardhësit politikë të Rugovizmit kujtojmë të tri dekadat e gjysmë të veprimit të madh politik të kësaj lëvizje të madhe shqiptare e kombëtare dhe nderojmë të gjitha figurat në këtë shtëpi të madhe. Rikujtojmë nevojën që momentet historike të bëhen bashkë dhe të krijojnë momentume të reja. Ky momentum i ri na vjen me zgjedhjet e reja 9 shkurtit”, ka thënë Abdixhiku.

Të ngjashme