Qendra e Studentëve të Universitetit të Prishtinës ende nuk ka marrë ndonjë vendim lidhur me hapjen e konkursit për pranim në konvikte shkaku i situatës epidemiologjike në vend, ka thënë drejtori i Qendrës së Studentëve Fatmir Sfishta, në një intervistë për Ekonomia Online.
Tutje, ai tha se janë në përfundim të të gjitha projekteve që kanë qenë të planifikuara për këtë vit para pandemisë, duke shtuar se me datën 1 tetor do të jenë të gatshëm t’i pranojnë studentët.
Madje, ai theksoi se ministria e Arsimit, ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK-ja ende nuk kanë ndalë me ndonjë vendim për hapjen e konkursit për pranim në Qendrën e Studentëve.
“Ne si qendër e studentëve jemi në përfundim e sipër të gjitha projekteve që kanë qenë të planifikuara për këtë vit para pandemisë dhe mendoj që me datën 1 tetor të gjitha ato projekte do të përfundojnë dhe një ditë do të jemi të gatshëm që ti pranojmë studentët për vitin akademik 2020-2021. Mirëpo duke e ditur gjendjen në të cilën jemi ne si vend me gjendjen e pandemisë mendoj që instancat tjera, Ministria e Arsimit, ministria e shëndetësisë dhe IKShPK do ta marrin një vendim të duhur duke marrë parasysh rrethanat e pandemisë në të cilën gjendet Kosova për hapjen e konkursit për pranim në qendrën e studentëve”.
“Ne si menaxhment i kemi dërguar të gjitha të dhënat dhe i kemi informuar organet përgjegjëse për kapacitetet tona për mundësitë tona, strukturën e dhomave e banjove në mënyrë që këto institucione ta marrin një vendim të duhur duke i pasur parasysh kushtet në të cilën gjendemi shkaku i pandemisë”, shtoi Sfishta.
Sipas tij, përdeirsa Universiteti i Prishtinës ende nuk e ka përcaktuar afatin për pranim e studenëtev ata nuk mund të ndërmarrin hapa që të ofrojnë shërbimet për të cilat janë të thirrur.
Drejtori Sfishta tha se në Qendrën e Studentëve kanë kapacitet të pranojnë 4 000 studentë.
“Qendra e studentëve është institucion që i strehon studentët e rregullt të Universitetit të Prishtinës. Në Universitetin e Prishtinës ende nuk ka ndodhur një provim pranues për pranimin e studentëve të rinj në UP dhe si pasojë e kësaj ne e kemi të pamundur të hapim një konkurs për pranim të studentëve sepse duhet ti presim studentët që për herë të parë vijnë në studime në UP”.
“Mendoj që në momentin që UP-ja ta kryejë provimin pranues t’i pranojë studentët e rinj dhe në atë moment edhe institucionet tjera do ta marrin vendim se në çfarë forme do të bëhet pranimi i studentëve në Qendrën e Studentëve. Ne kemi kapacitet për 4 000 studentë, dhe se si do të vendosin atëherë ne do ta zbatojmë”.
Ai shpreson që të mos ketë vonesa sa i përket konkursit për provim pranues të studentëve.
“I gjithë viti ka kaluar nën hijen e pandemisë , qendra e studentëve ka qenë si karantinë për 3 muaj dhe në atë kohë na është dashtë të ndërrojmë misionin tonë . Ka qenë një angazhim i jashtëzakonshëm dhe e kemi përmbushur me sukses. Shpresoj që të mos ketë vonesa dhe të vijnë studentët në konvikte”, shtoi ai.
Sfishta shtoi se kanë marrat të gjitha masat e nevojshme për dezinfektimit e të gjitha hapësirave dhe dhomave në Qendrën e Studentëve.
“Në kushte normale viteve të kaluara, konkursi do të ishte i mbyllur në këtë datë. Mirëpo këtë vit ne nuk kemi ende hapje të konkursit. Kurse sa i përket masave që kemi marrë ne, kemi bërë dezinfektim, pastrim të tërësishëm të të gjitha hapësirave dhe ato dhoma nuk mund t’i zgjerojmë”.
“Nëse merret vendim që një apo dy studentë të futen në një dhomë ne atë vendim do ta zbatojmë. Ne kemi marrë masa shtesë dhe kemi pajisur çdo kat të konvikteve, çdo hyrje me aparate dezinfektues”.