Tre deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe njërit të PDK-së duket se nuk po i bëhet vonë për të kryer një formalitet në Kuvendin e Kosovës i cili bëhet para seancës konstituive të 3 gushtit.
Sot Kuvendi njoftoi se numri i deputetëve të regjistruar deri sot, ndonëse kanë kaluar 2 ditë nga afati që e dha Kryesia e Kuvendit, është 116, duke e bërë të qartë se janë 4 deputetë që kanë mbetur pa u regjistruar, shkruan gazetametro.net.
Metro merr vesh se nga deputetët e zgjedhur e që s’janë regjistruar akoma, është edhe kandidati për kryeministër nga radhët e VV-së, Albin Kurti. Për këtë të fundit, zëdhënësi i VV-së Shkodran Hoti, bëri të ditur se do të regjistrohet nesër në orën 09:00.
‘Për Albinin e di që do të regjistrohet nesër në orën 09:00. Për të tjerët nuk e di’, ka thënë Hoti për Metron.
Ndërkaq, tre deputetët e tjerë që s’u është bërë vonë për afatin e regjistrimit janë Shqipe Pantina, Faton Topalli dhe Memli Krasniqi nga PDK.
Ndryshe, pas mbledhjes së Kryesisë në shkuarje të Kuvendit u vendos që 27 deri 29 të jenë datat kur deputetët do të bëjnë regjistrimin, por i cili afat nuk u respektua fare. Megjithatë, Metro bisedoi me Kuvendin e Kosovës, të cilët thanë se kjo nuk përbën ndonjë problem, pasi kjo është një procedurë formale.