Më shumë se 20 punonjës, përfshirë mjekë dhe infermierë të Klinikës Intensive të QKUK-së, janë karantinuar për shkak se një pacient në këtë klinikë ka rezultuar pozitiv me COVID-19.
Pacienti në fjalë siç mëson Ekonomia Online, ka qenë i shtrirë në Klinikën e Pulmologjisë por pas përkeqësimit të gjendjes së tij, ai është dërguar në Intensivë, ku nga aty është konstatuar se pacienti pos sëmundjeve tjera është diagnostifikuar edhe me COVID-19.
Ndërkaq, mësohet se teknikët dhe mjekët janë të dy ndërrimeve që janë futur në vetizolim.
Rastin për Ekonomia Online, e ka konfirmuar zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti. Ky i fundit, ka thënë se testet për COVID-19 të dyshuarve do t’iu bëhen gjatë javës, derisa pacientja, të dielën është shtruar për Mjekim në Klinikën Infektive.
“Një paciente e shtruar në Mjekimin Intensiv të QKUK-së ka rezultuar ditën e diele pozitiv në SARS-COV-2. Me qëllim të parandalimit të përhapjes së infeksionit, ndërrimi i ditës së diele i Klinikës së Anesteziologjisë dhe ndërrimi i ditës së shtune, i kësaj klinike: 5 mjekë, 14 infermierë, 2 higjienistë dhe 2 bartës, janë futur në vetizolim, sipas rekomandimeve të IKSHPK-së. Të njëjtëve, do t’u bëhen testet gjatë javës për SARS-COV-2, derisa pacientja, të dielën është shtruar për Mjekim në Klinikën Infektive”, ka thënë Hoti.
“Shërbimi mjekësor në Klinikën e Mjekimit Intensiv, vazhdon , pasi që menaxhmenti aty ka riorganizuar ekipet e tjera me qëllim që shërbimi të mos mbetet pa personelin e nevojshëm për ofrim të shërbimeve mjekësore për pacientët”, ka thënë tutje Hoti për EO.