Katër persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi në një deponi të derivateve në fshatin Miradi të Fushë-Kosovës.
Zjarri ka shpërthyer, rreth orës 14, në rafinerinë e naftës së kompanisë së derivateve “Al Petrol”, raporton Ekonomia Online.
Në këtë rast janë lënduar katër persona, njëri prej të cilëve ka pësuar djegie më të rënda.
Pas shpërthimit, punëtorët e kësaj kompanie derivatesh janë evakuuar nga vendi i ngjarjes.
Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Prishtinës, konfirmoi se e kanë evakuuar personelin.
“Rreth orës 14:00 policia ka marrë informatën për një shpërthim të ndodhur në një nga rezervuarët e një deponie të derivateve në fshatin Miradi, komuna e Fushë-Kosovës. Policia me të gjitha njësitet e nevojshme si dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendin e ngjarjes”, tha Borovci.
Në vendngjarje kanë dalë dhe njësitet e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Zëdhënësi Borovci tha se varësisht nga zhvillimet, nëse shihet se ekziston rreziku i përhapjes së zjarrit, mund të bëhet edhe evakuimi i njerëzve nga një perimetër i caktuar që të shmangen pasojat eventuale.
Por, kjo nuk ka qenë e nevojshme. Pas rreth dy orësh, zjarri është vënë nën kontroll.