40 inxhinierë e arkitektë nga Kosova i bashkohen ekipit shqiptar për verifikimin e dëmeve në objekte

Prishtinë | 28 Nën 2019 | 15:18 | Nga Ekonomia Online

40 inxhinierë e arkitektë nga Kosova i janë bashkuar ekipit shqiptar të inxhinierëve dhe arkitektëve në terren për kontrollin teknik të çdo ndërtese të dëmtuar nga tërmeti që goditi vendin tonë mëngjesin e së martës me magnitude 6.4 Rihter.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku gjatë takimit të zhvilluar me ekipin e ardhur nga Kosova deklaroi se duhet të identifikojmë ndërtesat, tashmë gati për t’u hedhur dhe më pas ndërtesat, sipas kategorive, duke nisur nga ndërtesat më sensitive, shkollat, spitalet dhe ndërtesat e tjera komunitare e më pas duke kaluar te banesat.

“Duam t’i ndajmë në kategoritë e ndërtesave që janë të qëndrueshme, ndërtesa që kërkojnë rikonstruksion dhe ndërtesa që duhen hedhur pasi përbëjnë rrezik publik dhe ne kemi disa të tilla”, – u shpreh Balluku.

Ministrja falënderoi në emër të qeverisë shqiptare ekipin e arkitektëve dhe inxhinierëve nga Kosova të cilët do të jenë në terren për verifikimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti në çdo objekt.

“Ne kemi nisur nga Durrësi, Thumana e Laçi, por kemi edhe zona të tjera si Tirana e Kavaja ku rrezja e goditjes ka qenë më e lehtë, por me problematika si Tirana” – vuri në dukje ministrja.

Nga ana tjetër, ministrja Balluku apeloi ekspertët që gjatë kontaktit me banorët e prekur nga tërmeti t’i informojnë ata mbi situatën e banesës së tyre.

“Detyra juaj është sublime në këto momente jo vetëm për identifikimin e problematikës që kemi por sepse njerëzit kanë nevojë për mbështetje. Ka kaos të madh në rrugë e njerëzit janë të shqetësuar. Edhe atyre që nuk u janë dëmtuar banesat kërkojnë të dinë mbi situatën, sepse kanë parë fqinjët e tyre nën rrënoja. Inxhinierët gjatë komunikimit me to duhet t’u thonë të vërtetën që nëse banesa e tyre është dëmtuar nuk duhet të shkelin në atë ndërtesë edhe nëse kanë pronën e tyre, sendet e tyre kujtimet e tyre Brenda. Po ashtu duhet tu thonë edhe për rastet kur ka siguri që të kthehen në banesat e tyre dhe ata nuk kanë më nevojë të rrinë në rrugë, megjithëse qeveria i ka siguruar të gjithë”, – deklaroi Balluku.

Ministrja Balluku vlerësoi edhe profesionalizmin e demonstruar nga ekipet e Kosovës të njësive operative të ushtrisë e policisë, që mbërritën në vendin tonë që në orët e para pas tërmetit.

“Jemi ndjerë krenarë e të impresionuar nga shkalla e tyre e profesionalizmit. Kanë të njëjtën përgatitje me ekipet ndërkombëtare. Kanë qëndruar profesionalisht përkrah tyre. Falënderoj vëllezërit e Kosovës për të gjithë ndihmën që na kanë dhënë”, – u shpreh ministrja Balluku/ATSH.

https://www.facebook.com/267225880099293/videos/547937732435894/?t=0
Fjalë Kryesore:

Të ngjashme